Ora News publikoi sot faksimile të një vërtetimi të Kadastrës së Durrësit ku thuhet se Lulzim Berisha nuk ka asnjë pronë. Ky dokument i është bashkëngjitur formularit të kërkuar të martën nga policia për justifikimin e pasurisë.
ReporteTV publikoi më vonë formularin e plotësuar nga Berisha, ku bie në sy se ai zotëron si pasuri të paluajtshme vetëm një makinë tip BMW, të cilën thotë se e ka blerë rreth 8 mijë euro vitin e shkuar.
Operacioni Forca e Ligjit i kërkoi Berishës të plotësonte formularin me dyshimin se ai ka pasuri të krijuara përmes krimit. Në një reagim me avokatin e tij Detar Hysi, Berisha bëri me dije se nuk zotëronte pasuri, veç një biznesi me qira dhe një kompanie karburanti për zonën detare. Avokati u shpreh se këto informacione janë lehtësisht të verifikueshme sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Mediat publikuan emrin e lokalit me qira, Vila One dhe kompanisë ku Berisha është aksioner si Rajan 2007, e cila është në ortakëri me të motrën Luljeta, dhe Enkelejda Shoshin. Luljeta ka komentuar për mediat duke theksuar se asnjë pronë nuk është në emër të Lulzim Berishës. Këtë e ka deklaruar edhe avokat Hysi se “të gjitha pronat e tij janë sekuestruar nga Gjykatat e të gjitha Shkallëve dhe kanë kaluar në favor të shtetit.”
Berisha, dejtues i ish-bandës së Durrësit, është akuzuar për vrasje, narkotrafik, grup kriminal dhe pastrim parash. Ai u dënua në 2012 me burgim të përjetshëm, por u lirua me kusht në vitin 2016. Dalja nga burgu u bë pasi Gjykata, si fillim, ia ktheu dënimin në 25 vite burg dhe, më vonë, me garancinë nga Bashkia Durrës se kishte gjetur punë, u lirua 6 vite para kohe.