Ish-kryetari i gjykatës së Apelit kërkon rikthimin në procesin e rivlerësimit

Nga Exit News
Ish-kryetari i gjykatës së Apelit kërkon rikthimin në procesin e rivlerësimit

Alaudin Malaj, ish kryetari i gjykatës së Apelit Tiranë i ka kërkuar Komisionit të Posaçëm të Vlerësimit, rikthimin e çështjes në shkallë të parë dhe largimin e komisioneres Etleda Çiftja.

Sipas dokumentit të publikuar në median Shqiptarja.com, Malaj kërkon “përjashtimin e komisioneres Etleda Çiftja nga përbërja e trupit gjykues. Dërgimin e çështjes së rivlerësimit pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për t’u gjykuar nga një trup tjetër gjykues”.

Gjatë procesit të rivlerësimit, Malaj akuzoi në SPAK komisioneren Suela Zhegun se ajo ka përvetësuar pasurinë e vëllait të saj pasi ky i fundit ka ndërruar jetë.
Njëkohësisht gjyqtari Malaj e akuzoi edhe bashkëshortin e Suela Zhegut si një person që ka probleme me drejtësinë.
Por SPAK, në 9 shtator vendosi të mos fillojë procedim penal pasi gjykoi se në këtë rast ‘nuk ka elemet të veprës penale’.

Në 27 korrik 2020 Alaudin Malaj dha dorëheqjen gjatë procesit të kryerjes së rivlerësimit të figurës nga KPK që nga viti 2018.
Në 16 shtator, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procesin e vetingut për Malajn pas dorëheqjes.

Alaudin Malaj është gjyqtari që bëri publik vendimin e dënimit të Geron Xhafajt, vëllait të ish-Ministrit të Brendshëm.

Gjithashtu, Malaj ishte një nga 5 anëtarët e trupit gjykues që dhanë pafajësi për të gjithë anëtarët e organizatës “Hakmarrja për drejtësi”. Madje në 2017, Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisi hetimin ndaj 5 gjyqtarëve të Apelit të Krimeve të Rënda, me kërkesë të ish-presidentit Bujar Nishani.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>