Ish ministri grek i financave Yanis Varoufakis ka mbështetur të martën kandidimin e minatorit Elton Debreshi.
“Shumë i lumtur të raportoj se në Shqipëri po formohet një lëvizje e re dhe e pabesueshme. Këtu është Elton Debreshi, kreu i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës SMBB të Shqipërisë. Shikoni videon e tyre dhe mbështesni luftën e tyre përkrah International Progressive”, ka shkruar Varoufakis në Twitter.
Debreshi ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook mbështetjen e Varoufakis, ku shkruan se “zëri i përpjekjes sonë të përbashkët nga Kuvendi i Shqipërisë do të ketë jehonë ndërkombëtare nga të gjithë ata njerëz të ndershëm që përpiqen të ndërtojnë një shoqëri më të drejtë”.
Yanis Varoufakis ka shërbyer si ministër i financave gjatë vitit 2015, kur në Greqi ishte në qeveri Syriza. Tani ai drejton partinë Mera 25 dhe është bashkëthemelues i lëvizjes europiane Progressive International.
Kandidati i pavaruar, Elton Debreshi, njoftoi të martën se i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese rrëzimin e pragut kombëtar prej 1% të sistemit zgjedhor.