Ish-ministri Jeremiç: Rama, Vuçiç dhe Thaçi po punojnë për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi

Ish-ministri Jeremiç: Rama, Vuçiç dhe Thaçi po punojnë për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi

Kryeministri Edi Rama, Presidenti Vuçiç dhe Thaçi po punojnë “me dyer të mbyllura” për marrëveshjen e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe vendosjen e kufijve sipas vijave etnike dhe fetare. Kështu deklaroi ish-ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, në një intervistë për gazetën austriake “Der Standart”. Ai shtoi se:

Plani për shkëmbimin e territorit “është kryer në sekret të plotë” ndërmjet krerëve të vendeve, pavarësisht se nuk mbështetet nga pjesa më e madhe e serbëve. Presidenti Vuçic është gati të shkëmbej luginën e Preshevës, me pjesën veriore të Kosovës.

Ka një rrjet lobimi, i cili po punon për përmbushjen e kësaj marrëveshje, në të cilën bëjnë pjesë ish-kryeministri britanik Tony Blair, ish-menaxheri i fushatës elektorale të Presidentit Trump, Corey Lewandowski, kompania e lobimit Wolfang Petritsch, si dhe Aleksandër Soros.

Rama, Vuçiç dhe Thaçi e kuptojnë se anëtarësimi në BE është shumë larg, ndaj ato kanë vendosur prioritetet e tyre për të qendruar në pushtet, si përshembull, nënshkrimi i marrëveshjes së shkëmbimit të territoreve. Ato punojnë “shumë mirë pas dyerve të mbyllura”, pavarësisht retorikës nacionaliste me të cilën ushqejnë popullin e tyre, apo mungesës së mbështetjes nga qytetarët për këtë marrëveshje.

BE, duke qenë se ka dështuar në politikën e të jashtme në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ka zgjedhur një rrugë të shkurtër, atë të shkëmbimit të territoreve, me pasojat e të cilës ato nuk do të duan të jetojnë. Amerikanët janë të vetmit të cilët mund të bindin shqiptarët të nënshkruajnë marrëveshjen.

Edhe nëse Serbia e njeh Kosovën si shtet i pavarur, nuk do të thotë që Kina, Rusia, dhe Këshilli i Sigurisë do të pranojnë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Vendosja e kufijve sipas vijave etnike dhe fetare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të hapë çështjet të njejta edhe në vendet e tjera të Ballkanit.

Ideja e  shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, u propozua fillimisht nga Presidenti serb Vuçiç, si kusht për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe dhënien fund të konfliktit mes dy vendeve. Për të marrë mbështetjen e qeverisë amerikane për marrëveshjen e shkëmbimit të territoreve, qeveria serbe loboi edhe pranë presidentit Trump. Në shtator 2018, Vuçiç udhëtoi për në SHBA, ku moripjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, gjatë së cilës mbajti një fjalim për çështjen e Kosovës. Burime serbe bënë me dijë se gjatë vizitës në Amerikë, Vuçiç u takua me zyrtarë të lartë të administratës Trump pa përcaktuar se me kë.

Më pas edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh pro këtij propozimi.

Ai, në vend të termit “shkëmbim territoresh”, gjatë deklaratave publike përdori termin “korrigjim territoresh”, duke propozuar bashkimin e Kosovës dhe Luginën e Preshevës, por pa shpjeguar se çfarë do të përfitojë Serbia në këmbim të Luginës. Ky propozim u mbështet shumë nga Eurokomisioneri Hahn dhe Federica Mogherini.

Por në shtator 2018, ministrat e jashtëm të BE-së, gjatë një mbledhje të organizuar në Austri, pohuan njëzëri se rishikimi i kufijve mund të nxisë tensione eknike dhe mund të sjellë pasoja negative për vendet e tjera, për shembull, të inkurajojë Republikën Srpska në Bosnjë-Herzegovinë që të bashkohet me Serbinë.

Gjithashtu, edhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh kundër ndryshimit të kufijve në vendet e Ballkanit Perëndimor. Merkel gjatë një konferencë shtypi me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Denis Zvizdip tha se megjithëse ka tendenca të caktuara në Ballkan për rivendosje të kufijve, një gjë e tillë nuk duhet të bëhet.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë të përfshirë në bisedimet Kosovë-Serbi, përfshi Bashkimin Europian, kanë përcaktuar pranverën e ardhshme si objektiv për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas deklaratave të deritanishme, presidenti Vučić dhe ministri Dačić duket se sugjerojnë një zgjidhje, në të cilën, pjesa veriore e Kosovës, e banuar nga një shumicë e serbëve etnikë, mund të bashkohet me Serbinë, ndërsa lugina e Preshevës, mes Maqedonisë dhe Kosovës, mund të bashkohet me Kosovën. Një zgjidhje e tillë do t’i rindërtonte të dy shtetet sipas vijave etnike dhe fetare.

Përveç komponentit etnik, rishikimi i hartës së Kosovës do të kishte pasoja të konsiderueshme ekonomike, pasi minierat e Trepçës, potencialisht shumë fitimprurëse, ndodhen në pjesën e pakicës serbe të vendit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>