Ish-Ministri Tahiri: Prokuroria e Katanias mbylli hetimet për mua, jam i pafajshëm

Ish-Ministri Tahiri: Prokuroria e Katanias mbylli hetimet për mua, jam i pafajshëm

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri njoftoi sot se Prokuroria e Katanias ka pushuar hetimet për të pasi nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për përfshirjen e Tahirit në bandën Habilaj.

Në një konferencë për shtyp, Zoti Tahiri u shpreh se:

“Prokuroria e antimafias në Itali kërkoi pushimin e çështjes dhe gjykata italiane e vendosi. Në 24 tetor 2017 unë dola dhe deklarova se ndaj meje nuk kishte asnjë hetim. Atëherë ajo dora e zezë që paguhet nga oligarkët tha se ishte e manipuluar. Hetimi i drejtësisë shqiptare nuk më mjafton. Unë bëra atë që nuk ka bërë asnjë politikan shqiptar duke kërkuar të hetohem dhe në Itali.

Në 27 tetor prokuroria italiane nisi një hetim ndaj meje. Ata në heshtje dhe pa zhurmë, në fund mbyllën hetimet. Sot kam vendimin e gjykatës ku thuhet se Saimir Tahiri nuk ka lidhje me akuzat.

Jam i vetmi politikan shqiptar që vetëm pse përmendet në bisedat e ca trafikantëve jam hetuar dy herë, flas në Itali e jo këtu. Një herë në hetimin 4 vjeçar të trafikantëve dhe një here në hetimin që e kërkova unë. Rezultati është ky: autoritetet italiane me vendim të formës së prerë kanë mbyllur hetimet sepse nuk kam lidhje me asgjë të paligjshme.

Bilbila e kopila u bënë bashkë të më fusnin në burg dhe unë ua bëra qejfin dhe kërkova hetim nga antimafia italiane dhe ata më sollën vendimin e pushimit të hetimit.”

Ish-ministri tha se ndërkohë po pret që të mbyllen hetimet në Shqipëri:

“[Prokuroria shqiptare] pavarësisht se po heton mbi materialet që morën në Itali, pavarësisht se po zgjat hetimet për të paktën 4 herë duke pritur letra nga Italia, i duhet akoma kohë të zbardhë të vërtetën. Në qoftë se nuk mjaftojnë 7 prokurorë, bëjini 70, vetëm mbaroni hetimet dhe tregoni të vërtetën. Siç bëri prokurori antimafia e italisë dhe gjykata atje.”

Dosjen nga prokuroria e Katanias për pushimin e hetimeve ish-Ministri Tahiri e dorëzoi tre ditë më parë në prokurorinë e Krimeve të Rënda, teksa deklaroi:

“Paraqita diçka që ka rëndësi deçizive për procesin. Do flas pas dy tre ditësh konkretisht. Dorëzova një provë që quhet deçizive.”

Ajo që mbetet ende e paqartë është se përse dosjen për mbylljen e hetimeve, prokuroria e Katanias nuk e ka dërguar vetë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por ‘korrieri’ i saj ka qenë Tahiri.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>