Ish-punonjësja akuzon Facebook: Dëmton fëmijët dhe dobëson demokracinë

Nga Exit News
Ish-punonjësja akuzon Facebook: Dëmton fëmijët dhe dobëson demokracinë

Një ish-punonjëse e Facebook dëshmoi para Kongresit amerikan se rrjeti gjigand social dhe aplikacionet e tij “dëmtojnë fëmijët, nxisin ndasitë dhe dobësojnë demokracinë”.

Ndërsa akuzoi Facebook se po përfitonte në kurriz të sigurisë, ish-specialistja e të dhënave i tha Kongresit se beson se mbikqyrja më e rreptë e qeverisë mund të lehtësojë rreziqet që kompania paraqet.

Frances Haugen akuzoi kompaninë se nuk bëri ndryshime në Instagram pavarësisht të dhënave nga kërkimet e brendshme që tregonin se disa adoleshentë dëmtoheshin dhe nuk ishte treguar e ndershme në luftën kundër urrejtjes dhe dezinformatave. Ajo i mbështeti akuzat në dhjetëra mijëra faqe dokumentesh kërkimore të brendshme që ajo kopjoi fshehurazi para se të linte punën e saj në njësinë e integritetit qytetar të kompanisë.

Një studim i brendshëm citoi 13.5% të vajzave adoleshente që thanë se Instagrami i përkeqëson mendimet për vetëvrasje dhe 17% e vajzave adoleshente thonë se i bën çrregullimet e të ngrënit më keq.

Ajo gjithashtu ka paraqitur ankesa pranë autoriteteve federale duke pretenduar se kërkimet e vetë Facebook tregojnë se ajo përforcon urrejtjen, dezinformatat dhe trazirat politike, por që kompania fsheh atë që di.

Haugen tha se Facebook çaktivizoi para kohe masat mbrojtëse të krijuara për të penguar dezinformatat dhe nxitjen e dhunës pasi Joe Biden mundi Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, duke pretenduar se kjo kontribuoi në sulmin vdekjeprurës të 6 janarit në Kapitolin e SHBA.

Pas zgjedhjeve të nëntorit, Facebook shpërndau njësinë e integritetit qytetar ku Haugen kishte punuar. Ky ishte momenti, tha ajo, kur kuptoi se “nuk kam besim se ata janë të gatshëm të investojnë vërtetë në atë që duhet të investohet për të mbajtur Facebook-un nga të qenit i rrezikshëm”.

Haugen, 37 vjeç, është eksperte të dhënash me një diplomë në inxhinieri kompjuterike dhe një diplomë master në biznes nga Harvard. Para se të rekrutohej nga Facebook, ajo punoi për 15 vjet në kompanitë e teknologjisë përfshirë Google, Pinterest dhe Yelp.

“Produktet e Facebook dëmtojnë fëmijët, nxisin ndarjen dhe dobësojnë demokracinë tonë,” tha Haugen. “Udhëheqja e kompanisë di se si t’i bëjë Facebook dhe Instagram më të sigurt, por nuk do të bëjë ndryshimet e nevojshme sepse ata kanë vënë fitimet e tyre astronomike para njerëzve.”

“Nevojitet veprim i Kongresit,” tha ajo. “Ata nuk do ta zgjidhin këtë krizë pa ndihmën tuaj.”

Ajo kritikoi themeluesin dhe shefin e kompanisë Mark Zuckerberg për kontrollin total që ushtron, duke thënë se “Markun askush nuk mund ta vërë para përgjegjësisë përveç vetes së tij”.

Por ajo gjithashtu ofroi ide se si platformat e mediave sociale të Facebook mund të bëhen më të sigurta.

Haugen sugjeroi, për shembull, që mosha minimale për platformën Instagram mund të rritet nga 13 në 16 ose 18 vjeç.

Ajo sugjeroi edhe ndryshime në algoritmin e platformës. Facebook, si kompanitë e tjera të mediave sociale, përdor algoritme për të renditur dhe rekomanduar përmbajtjet. Përdoruesve aktualisht iu renditet përmbajtja bazuar në materialet që ata pëlqejnë dhe ndjekin gjë që i bën më të prekshëm nga manipulimet dhe dezinformatat. Haugen sugjeroi që renditja të ishte kronologjike.

Haugen thotë se ajo u tha drejtuesve të Facebook kur ata e rekrutuan se ajo donte të punonte në një zonë të kompanisë që lufton dezinformatat, sepse ajo kishte humbur një mik nga teoritë e komplotit në internet.

Facebook pohon se pretendimet e Haugen janë mashtruese dhe këmbëngul se nuk ka prova për të mbështetur premisën se platforma është shkaku kryesor i polarizimit shoqëror.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>