Itali, bie ndjeshëm numri i vdekjeve dhe i të infektuarve me Covid-19

Nga Exit News
Itali, bie ndjeshëm numri i vdekjeve dhe i të infektuarve me Covid-19

Italia raportoi të dielën numrin më të ulët të viktimave me Covid-19 në 4 javët e fundit. Po kështu u raportua rënie e ndjeshme e rasteve të reja me të infektuar çka jep sinjale pozitive për situatën.

Autoritetet shëndetësore italiane thanë se në 24 orë, mes pacientëve me koronavirus, pati 525 viktima të tjera duke e çuar totalin në 15 887 të vdekur.

Ky është numri më i ulët i viktimave me koronavirus në Itali të raportuara që prej 19 marsit.

Drejtori i Emergjencave Civile, Borrell u shpreh se “të dhënat janë lehtësuese, por nuk duhet të ndikojnë në uljen e masave parandaluese”.

Kryeministri Giuseppe Conte shtoi gjithashtu se të dhënat po tregojnë se po ecet në rrugën e duhur. Sidoqoftë ai pohoi se autoritetet nuk janë ende në gjendje të saktësojnë se kur mund t’i jepet fund shtetrrethimit.

Të dhënat e përgjithshme flasin për 691 461 persona të testuar, 128 948 prej të cilëve janë diagnostikuar me Covid-19, 21 815 janë shëruar, 28 949 mbeten të shtruar në spitale dhe 3 977 të tjerë gjenden në terapi intensive.

Exit News ka raportuar më parë se gjysma e viktimave në Itali janë mbi 80-vjeç, megjithatë vdekshmëria e lartë prej 12.8 për qind ndër të infektuar mbetet shqetësuese.

Në gjithë botën janë mbi 1,2 milionë të infektuar, prej të cilëve mbi 65 mijë kanë vdekur – vdekshmëria 5.4 për qind.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>