Italia e Shqipëria nisin procedurat për transferimin e 20 azilkërkuesve eritreanë në Shqipëri

Italia e Shqipëria nisin procedurat për transferimin e 20 azilkërkuesve eritreanë në Shqipëri

Edhe pse në shkelje të ligjeve të BE-së, qeveria italiane ka nisur procedurat ligjore për të transferuar azilkërkuesit eritreanë të anijes “Diciotti” nga Italia në Shqipëri.

Ministria e Brendshme italiane ka dorëzuar në komisionin e ligjeve të parlamentit italian draftligjin që parashikon procesin e nevojshëm për të lejuar qeverinë Rama të strehojë azilkërkuesit në Shqipëri, edhe pse një veprim i tillë është në kundërshtim me ligjin evropian për azilin.

Siç e kemi shpeguar këtu, për shpërndarjen e refugjatëve në rast të një marrëveshje dypalëshe ndërmjet një vendi anëtar të BE-së dhe një vendi të tretë, si Shqipëria, është i domosdoshëm konsensusi i vetë refugjatëve për të plotësuar aplikimin për azil drejt një vendi tjetër që nuk është vendi i tyre i mbërritjes.

Televizioni OraNews ka siguruar raportin shoqërues të projektligjit, që ndër të tjera shpjegon dhe mënyrën se si Ministria e Brendshme italiane ka justifikuar shpërndarjen e azilkërkuesve nga një vend i BE-së si Italia, në një “vend të tretë” si Shqipëria.

Në raport, Nënsekretari i shtetit në Ministrinë e Brendshme, Luigi Gaetti sqaron se përse Shqipëria do të jetë vendi që do të marrë 20 azilkërkuesit eritreanë:

“Shqipëria aderon në Konventën e Gjenevës, është anëtare e Këshillit të Europës e ka ratifikuar disa konventa ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave njerëzore.

Shqipëria prej vitit 2014 është zyrtarisht vend kandidat për t’u pranuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian,  respekton kriteret e Kopenhagenit në garantimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave etnike.

Shqipëria është përcaktuar “si një vend i sigurt” nga 8 vende anëtare të Bashkimit Europian, madje Komisioni Europian, ka propozuar që Shqipëria të përfshihet në një listë të mundshme për të ashtuquajturit “vende të treta të sigurta”.

Shqipëria ka zhvilluar në vite një sistem të përshtatshëm strehimi për emigrantët e rrugës ballkanike që kërkojnë azil.”

Në dokument thuhet se në transferimin e emigrantëve do të merret parasysh ruajtja e bërthamave familjare mes anëtarëve të së njëjtës familje, respektimi i kategorive në rrezik si dhe marrja në mbrojtje e emigrantëve minorenë të pashoqëruar.

Ndër të tjera, Zoti Gaetti thekson se organizimi i transferimit të 20 emigrantëve afrikanë në Shqipëri i është besuar zëvëndës/ministres së Brendshme shqiptare Rovena Voda, e cila në koordinim me Organizatën Botërore të Emigrantëve UNHCR janë duke përgatitur masat parësore për strehimin e tyre. Deri më tani, Zonja Voda ka deklaruar vetëm se po punojnë me shtetin italian për t’i sjellë emigrantët sa më shpejtë në Shqipëri dhe për t’i strehuar në qendrën kombëtare pritëse të azilkërkuesve.

Kjo na bën të kuptojmë se pavarësisht se në shkelje të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Konventës se Dublinit, Konventës së Gjenevës, Kushtetutës Italiane dhe Kodit Penal të Italisë e Kodin e Lundrimit, qeveria italiane dhe ajo shqiptare kanë vazhduar bisedimet për të gjetur një mënyrë që 20 azilkërkuesit eritreanë të transferohen në Shqipëri.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>