
Në muajin nëntor Italia do të kërkojë hapjen e një diskutimi tjetër për bisedimet e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Sipas raportimeve Kryeministri italian Giuseppe Conte ka deklaruar se për dy vendet e Ballkanit Perëndimor “do të kërkojë një tjetër mundësi” në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Evropian. Lajmi është konfirmuar edhe nga Reuters.
Më 18 tetor, vendet e BE-së nuk ranë dakord për të nisur bisedimet e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Me kërkesën e qeverisë franceze për të reformuar si fillim procesin e negociatave, shumë vende të BE-së ndryshuan qëndrim, sidomos ndaj Shqipërisë. Në fund të diskutimeve u vendos që kjo çështje të shtyhej për në Samitin e Zagrebit, që do të mbahet në maj të vitit të ardhshëm.
Kritika të shumta shoqëruan këtë vendim. Kryeministri italian Conte e ka cilësuar bllokimin e radhës si “gabim historik” ndërsa Presidenti në largim i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker u shpreh i zhgënjyer nga vendimi.
Ndërkohë, kryeministri belg Charles Michel, i cili prej 1 dhjetorit do të drejtojë presidencën e radhës së Këshillit Evropian, ka pranuar ta vendosë në axhendën e mbledhjeve çështjen e zgjerimit.