
Italia raportoi të dielën 260 viktima të tjera ndër pacientët me Covid-19, por lajmi lehtësues është fakti se ky është numri më i ulët i raportuar ndonjëherë që prej 14 marsit.
Më 14 mars Italia pati raportuar 173 të vdekur me Covid-19. Asokohe, pas 2 javësh nën epidemi, totali ishte me mbi 20 mijë të infektuar dhe 1 300 viktima.
Një muaj më vonë bilanci bën fjalë për mbi 197 mijë të infektuar dhe 26 644 të vdekur.
Optimiste duket gjendja në spitale ku vazhdon prirja në ulje e personave në terapi intensive.
Aktualisht janë rreth 2 mijë persona që kërkojnë trajtim të specializuar, rreth 2 fishi më pak krahasuar me pikun që u regjistrua më 3 prill – 4 068 pacientë në gjendje të rëndë.
Po kështu numri i të infektuarve të shtruar në spitale ka vazhduar të bie me të njëjtën prirje.
Nga rreth 30 mijë të shtruar që ishin më 4 prill, tashmë në spitale janë vetëm 21 372 pacientë.