Izraeli dhe Hamasi pretendojnë fitore pas armëpushimit

Nga Exit News
Izraeli dhe Hamasi pretendojnë fitore pas armëpushimit

Izraeli dhe Hamasi pretenduan të dy fitoren të premten pas armëpushimit të arritur pas 11 ditë luftime.

Egjipti, i cili ndërmjetësoi konfliktin midis izraelitëve dhe palestinezëve, diskutoi masat për të shmangur rifillimin e sulmeve.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se operacioni kishte dëmtuar aftësinë e Hamasit, grupit islamik që drejton Gazën, për të sulmuar me raketa Izraelin, raporton Reuters.

Netanyahu tha se ushtria izraelite kishte sulmuar dhe shkatërruar rrjetin e gjerë të tuneleve të Hamasit në Gaza, fabrikat e raketave, laboratorët e armëve, objektet e magazinimit dhe kishte vrarë më shumë se 200 militantë, përfshirë 25 figura të larta.

“Hamasi nuk mund të fshihet më. Kjo është një arritje e madhe për Izraelin,” tha ai në një fjalim televiziv. “Ne eliminuam një pjesë të rëndësishme të komandës së Hamasit dhe Xhihadit Islamik. Dhe kushdo që nuk u vra e di sot që krahu ynë i gjatë mund ta arrijë atë kudo, mbi tokë ose nëntokë”, shtoi Netanyahu.

Kreu i Hamasit, Ismail Haniyeh i quajti luftimet si rezistencë të suksesshme ndaj një armiku më të fortë ushtarakisht dhe ekonomikisht dhe tha se do të rifitojë kapacitetet e humbura ushtarake.

“Ne do të rindërtojmë atë që pushtimi (Izraeli) shkatërroi dhe do të rivendosim kapacitetet tona dhe nuk do të braktisim detyrimet dhe detyrat tona ndaj familjeve të dëshmorëve, të plagosurve dhe atyre shtëpitë e të cilëve u shkatërruan,” tha ai.

Haniyeh shprehu mirënjohje për ndërmjetësuesit, Egjiptian, Katarin dhe OKB për mbështetjen e tyre dhe falënderoi “Republikën Islamike të Iranit, e cila nuk ka hequr dorë nga sigurimi i rezistencës me para, armë dhe teknologji”.

Konflikti në Gaza nisi më 10 maj pjesërisht nga përplasjet e policisë izraelite në kompleksin e xhamisë al-Aqsa me palestinezët gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në Gaza 243 persona humbën jetën nga luftimet, përfshi 66 fëmijë dhe mbi 1 900 të plagosur.

Ushtria izraelite tha se një ushtar izraelit ishte vrarë, si dhe 12 civilë.

Egjipti tha se do të dërgonte dy delegacione për të monitoruar armëpushimin, i cili filloi në 2 të mëngjesit, pasi palët thanë se ishin të gatshëm të rinisnin luftimet për çdo shkelje të armëpushimit.

Një përplasje midis policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë të premten në Jeruzalem tregoi brishtësinë e armëpushimit.

Mijëra palestinezë u mblodhën në xhaminë al-Aqsa për lutjet e së premtes, me shumë njerëz që nisën të demonstrojnë në mbështetje të Gazës.

Policia izraelite gjuajti me gaz lotësjellës drejt demonstruesve, të cilët hodhën gurë dhe bomba molotov drejt tyre.

Tensioni u shua brenda një orë pasi policia izraelite u tërhoq nga kompleksi i xhamisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>