Izraeli ka nisur një program testimi të antitrupave për fëmijët e moshës tre vjeç e lart, pasi kërkon të monitorojë mbrojtjen nga virusi që fëmijët e pavaksinuar kanë zhvilluar.
Qeveria izraelite po synon të shmangë mbylljen e shkollave pavarësisht rasteve në rritje të nxitura nga varianti Delta, raporton AFP.
Izraeli tashmë ka filluar vaksinimin e fëmijëve të moshës 12 vjeç e lart.
Testet janë fokusuar në gati 1.5 milionë nxënës të moshës tre deri në 12 vjeç të cilët ende nuk mund të vaksinohen, duke synuar të zbulojnë se sa fëmijë kanë zhvilluar mbrojtje të fortë të antitrupave kundër koronavirusit.
Ata që zbulohen se kanë nivele të mjaftueshme të antitrupave nuk do të detyrohen të karantinohen nëse ekspozohen ndaj personave të infektuar.
Ndërkaq Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të kryejë teste antitrupash për të gjithë personat mbi 18 vjeç nga java e ardhshme si pjesë e një programi të saj ku do të marrin pjesë 8 mijë persona për të monitoruar nivelet e antitrupave.
Personat e infektuar do të testohen dy herë në një interval prej 28 ditësh për të parë si ka reaguar sistemi i tyre imunitar ndaj virusit.