Izraeli shkatërron godinën në Gaza ku ndodheshin zyrat e disa mediave ndërkombëtare

Nga Exit News
Izraeli shkatërron godinën në Gaza ku ndodheshin zyrat e disa mediave ndërkombëtare

Izraeli ka shkatërruar një godinë në Gaza në të cilën gjendjeshin zyrat e disa mediave ndërkombëtare, përfshi Associated Press dhe Al Jazeera.

Forcat izraelite kanë justifikuar këtë veprim duke thënë se ndërtesa përdorej nga militantë islamikë të Hamasit dhe se kishin paralajmëruar më parë që godina të evakuohej, raporton Reuters.

Një gazetar palestinez është lënduar gjatë goditjes.

Presidenti i AP, Gary Pruitt e quajti goditjen “një zhvillim tepër shqetësues”. Ai tha se gazetarët e AP ishin evakuuar me kohë.

“Ne jemi të tronditur dhe të tmerruar që ushtria izraelite shkatërroi ndërtesën ku ndodhen zyrat e AP dhe organizatave të tjera të lajmeve në Gaza. Bota do të dijë më pak për atë që po ndodh në Gaza për shkak të asaj që ndodhi sot”, tha ai në një deklaratë.

Qeveria amerikane tha se i kishte thënë Izraelit të garantonte sigurinë e gazetarëve.

Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken foli me Pruitt dhe “ofroi mbështetjen e tij të palëkundur për gazetarët e pavarur dhe organizatat e medias në të gjithë botën”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në një deklaratë.

Drejtori i përgjithshëm në detyrë i Al Jazeera Media Netëork, Dr Mostefa Souag, e quajti goditjen “barbare” dhe tha se Izraeli duhet të mbajë përgjegjësi.

“Qëllimi i këtij krimi të rëndë është të heshtë median dhe të fshehë masakrën dhe vuajtjet e patreguara të njerëzve në Gaza” tha ai në një deklaratë.

Zëdhënësi ushtarak izraelit nënkoloneli Jonathan Conricus hodhi poshtë idenë se Izraeli po kërkonte të heshtte mediat.

“Kjo është plotësisht e gabuar, media nuk është në shënjestër,” i tha ai Reuters.

Ai tha se Hamasi po e përdorte faktin që në ndërtesë kishte zyra mediash duke vendosur aty “asete” të cilat shpresonin se do t’i mbanin të sigurta nga sulmet izraelite.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>