Java revolucionare e modës dhe firma shqiptare Pitupi

Nga Jona Kuka
Java revolucionare e modës dhe firma shqiptare Pitupi

Jave Revolucionare e Modës, e njohur si Fashion Revolution Week, është një ngjarje e cila zhvillohet për një javë, megjithëse aktivitete të ndryshme ndodhin përgjatë gjithë vitit. Më konkretisht, java revolucionare e modës ndodh nga datat 24 Prill deri më 30 Prill.

Qëllimi i kësaj jave është të thërras ndërgjegjen botërore për mënyrat që përdoren në industrinë e modës sot për sot. Ajo është e pranishme në shumë shtete si Italia, Polonia, Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara, Afrika e Jugut, Belgjika, Brazili, Spanja, Britania e Madhe, Kandaja, Finlanda e të tjera.

Të pranishëm në këto evente janë profesionistë në fushën e modës si dizenjatorë, akademikë, shkrimtarë, biznesmenë, ligjvënës, prodhues, firma, punonjës dhe njohës të modës, të cilët promovojnë veshje të krijuara në mënyra të sigurta, të paqme, dhe të ndershme.

Si arriti kjo javë të organizohej?

Duke iu referuar websitit të fashionrevolution,  në 24 Prill 2013, godina e Rana Plazës në Bangaldesh u shkatërruar dhe 1138 persona vdiqën ndërkohë që 2500 të tjerë u plagosën. Kjo ngjarje u cilësua ngjarja e katërt më e tragjike në industrinë e modës. Dhe kështu u krijua Revolucioni i Modës. Kjo javë është një lëvizje botërore që bën thirrje për një industri mode më të ndershme, më të sigurtë, më të paqme, dhe më transparente.

Por si i shërben kjo javë Shqipërisë dhe fabrikave të firmave që prodhojnë rroba në Shqipëri?

Shqipëria ka një histori të gjatë në prodhimtarinë e rrobave të njohur si fasone. Në Shqipëri kushtet e punës janë shumë herë më të mira kur i krahasojmë me disa shtete në Azi. Por ka vend për përmirësimin e pagave, orëve të punës dhe kushteve të nevojshme. Në përgjithësi, Shqipëria duhet të dalë në pah si një shtet që karakterizohet nga një prodhimtari etike dhe kjo t’i shërbejë si avantazh konkurrues në përballje me shtete të tjera prodhuese.

Më shumë konsumatorë, veçanërisht në Evropë, dëshirojnë të blejnë veshje të cilat janë prodhuar në kushte etike. Dhe përveçse një rast për të folur për të drejtat e punëtorëve, kjo menyrë mund t’i shërbejë edhe nivelit ekonomik.

Po ju njoh me Pitupin që është një kompani e krijuar nga investitor shqiptar dhe gjerman dhe prodhon veshje fëmijësh. Punishtja e tyre ndodhet në Krajn, një fshat tejet piktoresk midis Lezhës dhe Shkodrës. Veshjet punohen nga duart e grave të zonës dhe blerësit mund të takohen me këto zonja që punojnë rrobat.

Kompania është një pjesmarrëse krenare në lëvizjen #imadeyourclothes si një përgjigje nga artizanët, punëtorët e fabrikave dhe bërësve të modës për konsumatorët, për t’i treguar këtyre të fundit, kush i ka bërë veshjet e tyre në të vërtetë.

Gjatë javës revolucionare të modës shumë njerëz nxiten të bëjnë pyetjen #whomademyclothes.

Konsumatori që blen nga Pitupi do të zbulojë më shumë për rrobaqepëset të cilat punuan veshjet e tyre. Konsumatori mund të lexoj për veprimtaritë personale dhe profesionale të rrobaqepëseve që bëjnë veshjet e fëmijëve.

Për informacione të mëtejshme dhe detaje në lidhje me javën revolucionare të modës kërkoni në websitin dhe klikoni pitupi për të zbuluar njerëzit që punojnë për këtë firmë që mban edhe përgjegjësi shoqërore.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>