Në qershor 2018, pas debateve në Këshillin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë, u bë e qartë që negociatat nuk u hapën. E ardhmja e tyre u kushtëzua me plotësimin e disa kushteve si vazhdimi i Reformës në Drejtësi, thellimi i luftës ndaj korrupsionit dhe ulja e numrit të azilkërkuesve.
Por, qeveria shqiptare, që kishte siguruar edhe më parë qytetarët për hapjen e negociatave, deklaroi edhe një herë se Shqipëria kishte marr datën e hapjes së negociatave dhe ajo do të ishte në qershor 2019.
Pra, hapja e negociatave ishte fakt i kryer dhe data, një formalitet i parëndësishëm.
Nuk vonoi shumë dhe komisioneri Hahn i mbështeti deklaratat e qeverisë në Twitter në atë kohë, duke shkruar:
“I lumtur që Këshilli Europian i kuptoi përfundimet e #Zgjerimit veçanërisht për Shqipërinë dhe atë që do të jetë “Maqedonia e Veriut”, pas një debati të gjatë. Rruga për hapjen e negociatave në qershor 2019 është e hapur. Një sinjal kyç për rajonin se progresi shpërblehet. Kyç edhe për besueshmërinë e vetë BE-së.”
Pasi ka përforcuar gjatë viteve çdo pretendim të kryeministrit Rama për hapjen e negociatave, Zoti Hahn iu gjend atij në krah sërish ditët e fundit, kur Rama kishte nevojë për shfajësim.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp nga Brukseli, më 17 tetor 2019, Komisioneri Hahn siguroi shqiptarët se qeveria nuk ka faj për zvarritjen disavjeçare të hapjes së negociatave, porse vendi është pre e problemeve të brendshme të BE-së.
Nga ana e tij, Rama tentoi sërish të kalërojë opinionin pozitiv të Komisinit Europian për Shqipërinë, duke ia lënë përgjegjësinë për moshapjen e negociatave krerëve europian, që nuk dakordohen mbi çfarë duan dhe nuk duan të bëjnë për të ardhmen e BE-së.
Kjo është një lëvizje e njohur e Ramës, që shfrytëzon, në mënyrë arbitrare, deklaratat e eurokomosionerit apo raportuesit për Shqipërinë.
Ajo ç’ka është arbitrare tjetër është fakti që, karriera e eurokomisionerëve vlerësohet në raport me përparimin e vendit në procesin e integrimit.
Por nuk është vetëm roli i komisionerit apo raportuesit që kryeministri shtrëmbëron herë pas here, por edhe ai i Komisionit Europian. Në një postim në Twitter në 29 maj 2019 Rama shkroi:
“Rekomandimi pozitiv pa kushte i Komisionit Europian për çeljen zyrtare të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian, konfirmon se Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtëpisë në këtë proces.”
Duhet sqaruar se procesi i vlerësimit të progresit të integrimit të një vendi kalon disa faza e disa shtresa vlerësimi e kontrolli.
Ai që realisht mbikqyr progresin e vendeve është i ashtuquajturi Këshilli i Punëve të Përgjithëshme (General Affairs Council), i përbërë nga Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së, që takohen 1 herë në muaj.
Ky Këshill informon krerët e shteteve të BE-së dhe përgatit mbledhjen e Këshillit Europian, që ka fjalën e fundit në vlerësimin e përparimit të një vendi.
Komisioni Europian, që është një institucion ekzekutiv i BE-së, merret me mbarëvajtjen e procesit të integrimit në përditshmëri dhe jep rekomandime periodike, në bazë të realizimit të masave apo reformave të propozuara.
Përgjithësisht, këto raporte tentojnë të jenë inkurajuese për qeveritë duke u shprehur se vendi ka bërë njëfarë përparimi, qoftë edhe kur ai nuk ekziston.
Edhe raportet e KE-së apo ato të raportuesve për Shqipërinë, përvecse me funksion të kufizuar, kontrollohen imtësisht nga Parlamenti Europian dhe herë – herë edhe nga parlamentet e shteteve.
Në një raport të APPA-s në mars të vitin 2016 konstatoja që raportet që komisioneri i Zgjerimit për Shqipërinë Hahn dhe Raportuesi për Shqipërinë në BE, Knut Fleckenstein, kishin hartuar për Shqipërinë pothuajse ishin masakruar gjithnjë me amendamente nga PE.
Amendamentet i kundërviheshin tablos që Hahn e Fleckenstein tentonin të pikturonin.
Pra, ka traditë të gjatë të paraqitjes së situatës në Shqipëri në mënyrë tejet optimiste nga teknicienët europian, për hir të karrierës së tyre, që kryeministri Rama e përdor për të keqinformuar publikun.
Kjo, përpos faktit se, shfajësimi i qeverisë së një vendi nuk hyn në kompetencat e një (ish) Komisioneri për Zgjerimin si Zoti Hahn, duke e bërë gjestin e tij krejt të panevojshëm.
Por, vlen të përmendet se reagimi vjen një ditë pas qëndrimit të ashpër të Presidentit francez Emmanuel Makron për numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë në Francë.
Argumenti i Francës për moshapje të negociatave, ndonëse i shtruar në formën e pyetjes, rëndon direkt dhe vetëm mbi qeverinë.
Nëse Shqipëria ka bërë kaq shumë progres, siç thotë Hahn, përse shqiptarët largohen sikur të jetë një zonë lufte?!
Rikujtojmë se një nga kushtet e vendosura nga Këshilli në qershor 2018 ishte dhe menaxhimin e numrit të lartë të azilkërkuesve.
“Këshilli gjithashtu i kushton një rëndësi të veçantë përpjekjeve të vazhdueshme të Shqipërisë në zvogëlimin e numrit të aplikimeve për azil që duken të pabazuara dhe gjithashtu i kërkon Komisionit të sigurojë që kjo të merret parasysh” – shkruhet në konkluzionet e rezolutës që u miratua në samitin e 28 qershorit 2018.
Po ashtu edhe Presidenti i KE-së, Donald Tusk, në një konferencë te Kryeministria atë kohë tha midis të tjerash:
“Kemi rënë dakord për rritjen e përpjekjeve lidhur me mbylljen e rrugës së re të emigracionit illegal në Shqipëri.”
Ndonëse qeveria po përpiqet të luajë me numrat e emigrantëve që gjenden në Francë, duhet sqaruar se të kërkosh azil në një vend tjetër nuk është mënyrë e zakonshme emigracioni.
Për nga vetë përkufizimi, azilkërkimi është arratisje nga një vend për të kërkuar mbrojtje në një vend tjetër.
Rrjedhimisht, argumentimi i Makronit për moshapjen e negociatave nuk vjen kot, nga hiçi.
Ai përdor kërkesat e larta të azilit për të lënë të kuptohet se ka pakënaqësi mbi situatën e përgjithshme në Shqipëri.
Nga ana tjetër nuk vjen si çudi që deklarata e Komisionerit Hahn i përgjigjet nevojës së qeverisë për t’u shfajësuar, në një kohë kur hapja e vitpërvitshme e negociatave është kthyer në një shaka në rrjetet sociale.
Më shumë se kurrë, ajo ngjan si një dhuratë lamtumire e eurokomisionerit në ikje për kryeministrin Rama. Nëse kjo është në këmbim të “ndereve” të bëra nga qeveria jonë apo një përpjekje e fundit për të shpëtuar frutet e punës së tij, ndoshta nuk do ta dimë kurrë.