Debatet për dhunën, dramën dhe keqinformimin mbi sëmundjet mendore kanë shoqëruar së fundmi filmin Joker me regji të Todd Phillips dhe interpretim të Joaquin Phoenix.
Shikues të shumtë në Shtetet e Bashkuara thanë se u larguan nga kinematë pas skenave të dhunshme ndërkohë që në Shqipëri filmi u la i lirë të shihej nga qindra adoleshentë dhe fëmijë kinse Joker ishte si filmat e zakonshëm me superheronj, ku në fakt nuk kishte fare lidhje.
Filmi vërtetë bën fjalë për antagonistin kryesor të Batmanit, Arthur Fleck, njohur si Joker, por ndryshe nga filmat e shkuar ky i kësaj radhe i qe kushtuar Arthur-it dhe vinte në një këndvështrim thellësisht dramatik dhe të dhunshëm.
Arthur jeton me të ëmën. I rritur pa baba në kushte të rënda ekonomike dhe sociale. Vuan nga sëmundje mendore. Qesh në mënyrë të pakontrolluar në raste kur përjeton mërzi të thellë. Pavarësisht kësaj mundohet të punojë si klloun me ëndrrën për t’u bërë humorist.
Për shkak të sëmundjes dhunohet disa herë nga persona të cilët e tallin dhe nëpërkëmbin. Ripërsëritja e këtyre rasteve bën që Arthur të vuajë një shpërthim psiqik me një vrasje të trefishtë. Gjendja i përkeqësohet kur nga e ëma zbulon se babai i tij është Thomas Wayne, i ati i Bruce Wayne, Batmani.
Thomas Wayne e mohon dhe tregon se e ëma ka qenë gjithashtu e sëmurë mendërisht dhe se Arthur nuk ishte as i biri i saj, pasi qe i birësuar. Fakte këto që në të vërtetë janë të rreme, por që Arthur i beson duke u rënduar edhe me tej nga gjendja psiqike.
Ndërkohë situata me pakënaqësitë ndaj pushtetit në qytetin Gotham bën që shpërthimi psiqik i Arthur të përshkallëzojë protesta. Simbol i këtyre protestave bëhet pikërisht maska e kllounit.
Drama dhe dhuna bëhen rrëqethëse kur Arthur vret të ëmën, ish-shokun e ngushtë dhe madje LIVE! në një transmetim televiziv edhe prezantuesin Murray Franklin. Me një interpretim të jashtëzakonshëm nga Joaquin Phoenix, filmi është padiskutim për një moshë madhore dhe kurrësesi për fëmijë apo adoleshentë.
Filmi kategorizohet për audiencë të kufizuar (Restricted – që lejohet edhe nën 17 vjeçarë, por nën shoqërinë e prindërve).
Në SHBA autoritetet kanë patur frikë se mos filmi mund të ushqente dhunën dhe rastet e sulmeve me armë. Pas disa kërcënimeve policia në Kaliforni e ndaloi shfaqjen në një kinema.
Për rastin e Shqipërisë, kategorizimi i filimit nuk u mor fare parasysh.
Qindra fëmijë dhe adoleshentë ishin të pranishëm nëpër sallat e kinemave në fundjavë për të parë pikërisht Joker-in, film që u nis të shfaqej që në drekë në 12:50 apo 13:00, orar ky ku zakonisht shfaqen filma për fëmijë.
Për faktin se në Shqipëri nuk ka asnjë instancë që e kontrollon shfaqjen e filmave shumë prej të miturve mund të jenë trazuar rëndë nga filmi, sidomos me skenat e vrasjeve të Joker-it.
Përveç kësaj, për faktin se Joker vuante nga sëmundje mendore, filmi përcjell mesazhin e gabuar dhe mund të nxisë paragjykimet.