Ka diplomaci…..ka dhe president

Nga Desada Metaj
Ka diplomaci…..ka dhe president

Vetëm pak muaj pas zgjedhjes së tij në postin e presidentit të Republikës, Ilir Meta ka reaguar me kompetencë të plotë ndaj marrëveshjes që Shqipëria pritet të nënshkruajë me Greqinë. Duke ndërmarrë në fakt edhe hapin e parë konkret, të qartë dhe të drejtëpërdrejtë si kryetar i një shteti që pritet të hyjë në negociata të reja për një marrëveshje delikate me fqinjin problematik jugor. Por jo më pak problematike duket të jenë tashmë dhe marrëdhëniet mes qeverisë dhe presidencës lidhur me negociatat që do të zhvillohen gjatë muajit prill.

Gjithçka në fakt nisi pak javë më parë, kur pas dy ditë bisedimesh pa asnjë transparencë për publikun, ministri i jashtëm grek dhe ai shqiptar duket se kishin arritur një marrëveshje…. për të nisur bisedimet për marrëveshjen e re.

Sipas burimeve zyrtare, bisedimet do të nisnin mes ekspertëve për të përcaktuar piketat e një “paqeje” të re mes Athinës dhe Tiranës.

Kryediplomati Kotzias pa kaluar as 24 orë nga takimi i Korçës, njoftoi zyrtarisht kreun e parlamentit dhe presidentin grek për takimin me homologun shqiptar, madje ai nxitoi të jepte dhe intervista televizive që nxitën reagime patriotike nga të dy anët e kufirit.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Shqipërisë vetëm pas “ngacmimeve” politike dhe debateve publike dhe televizive për fshehtësinë e bisedimeve dhe sigurinë që pala greke shfaqte në publik se kishte dalë e fituar nga to, shpërndau një njoftim ku më shumë se diplomaci apo informacion kishte politikë dhe konspiracion se në bisedimet e ardhshme “pazari” shqiptar do të ishte më i lartë.

Edhe “thumbit” të presidentit se nuk ishte njoftuar për këto bisedime Ditmir Bushati preferoi t’i përgjigjej me cinizëm e sa për Sali Berishën dhe shqetësimin e opozitës, gjuha e tij e komunikimit kishte shumë pak diplomaci dhe dozë të shtuar militantizmi socialist. Gjithsesi debati publik për këto negociata të fshehta duket se nuk ja prishi terezinë qeverisë dhe të mandatuarit të saj për marrëveshjen e re me Greqinë. Kjo deri më sot, kur presidenti i Republikës, në dijeni të plotë të kompetencave të tij dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese që vite më parë hodhi poshtë marrëveshjen e hartuar nga qeveria Berisha, paralajmëroi qartas se nuk do të ketë marrëveshje pa autorizimin që nevojitet nga kreu i shtetit.

Me arsyetimin se kërkesa e ministrit të Jashtëm për autorizim është e paqartë, Ilir Meta refuzoi sot dhënien e autorizimit duke shtuar se vendimi i tij nuk është lojë e politikës se brendshme. Ky akt i presidentit dhe reagimi i zbehtë më pas i Ministrisë së Jashtme ndoshta do të risjellë dhe njëherë në qendër të debatit politik dhe publik jo vetëm çështjen e bisedimeve për marrëveshjen me Greqinë por dhe rolin e presidentit të republikës, i anashkaluar në rastin e parë të marrëveshjes shqiptaro- greke dhe përfshirë qartas në një nga paragrafet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sado cinizëm apo inate politike të kenë në raportin mes tyre mazhoranca dhe Ilir Meta (tashmë si president i republilkës) e kanë të qartë se çdo shkelje e kufirit delikat që ekziston mes tyre mund të jetë fitili i ndezur i konflikti të ri në qeveri. Që e ndodhur përballë skandalesh që po e rrënojnë imazhin e saj jo vetëm në Shqipëri, nuk i intereson të jetë në krye të një pakënaqësie që ka përmasa patriotike dhe ndjeshmëri më të lartë se çdo cironkë korrupsioni që shitet si peshk i madh.

Marrëveshja e detit me Greqinë, çështja çame që shitet e blihet si mallrat e tregut çam, tekstet shkollore apo dhe pika më pak të rëndësishme të marrëveshjes së re, janë problematika që i përkasin jo vetëm politikës dhe diplomacisë. Që mos të ketë fatin e marrëveshjes së parë që u rrëzua nga Kushtetuesja, kjo e reja ndoshta duhet të përfshijë në të veç spektrit politik ( apo dhe opozitës ) dhe specialistë të njohur të fushës. Sepse në fund të ditës presim të kemi një faqe të re në marrëdhënien e vështirë me fqinjin jugor dhe jo “kacafytje” deklaratash apo patetizma patriotike si ato që rëndom na i “hedhin” si konsum për të harruar shijen e hidhur të realitetit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>