Kolegji i Apelit vendosi sot se procesi i vetingut nuk do të vazhdojë për ish-kryeprokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla.
KA hodhi poshtë kërkesën e Komisionerit Publik Florian Ballhysa dhe la në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të ndërprerë vetingun për Llallën, në momentin kur ky i fundit dha dorëheqjen në shkurt 2018.
“Kolegji i Posaçëm i Apelimit me shumicë votash vendosi: ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Adriatik Llallën. Ndalimin e emërimit të tij, gjyqtar, prokuror apo anëtar i KLD-së për një periudhë prej 15 vitesh”.
Ashtu siç e kemi shpjeguar dhe më parë, Adriatik Llalla vendosi të largohet nga sistemi i drejtësisë dhe të mos ushtrojë të drejtën e tij që në përfundim të mandatit si Kryeprokuror i Përgjithshëm, të kthehet në një pozicion në nivelin e Apelit. Më 10 shkurt, zoti Llalla njoftoi largimin e tij nga sistemi i drejtësisë, me anë të një letre drejtuar Presidentit Meta.
Në përgjigje të vendimit të Adriatik Llallës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), vendosi më 16 shkurt 2018, të ndërpresë procesin e rivlerësimit.
Vendimi i KPK u mbështët në nenin “G” të Aneksit të Kushtetutës që parashikon se “subjekti i rivlerësimit mund të japë dorëheqjen nga detyra dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet.”; si dhe në nenin 56 të ligjit Nr. 84/2016 “ Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e shqipërisë”, që parashikon se “[…]Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit.”