Ka një lajm të mirë

Nga Artan Rama
Ka një lajm të mirë

Res Publica, përmes një platforme informimi online, do të publikojë informacionin zyrtar që prodhohet, çdo ditë, nëpër zyrat e institucioneve publike, përmes kërkesave që çdo qytetar mund të drejtojë në portalin publeaks.al.

E mbështetur prej ligjit Për të Drejtën e Informimit, kjo platformë do të ndihmojë qytetarët dhe shoqërinë në tërësi, për të kuptuar punën e qeverisë, për të gjykuar vendimet e saj, jashtë ndikimit të propagandës e mekanizmave të sofistikuara të piarit, të lëshuara në agresion të plotë ndaj informimit të lirë e të pavarur.

Nisur prej premisës, se informacioni zyrtar është pasuri publike dhe si i tillë, qytetarët rezervojnë të drejtën për ta disponuar, kjo inisiativë shpresëdhënëse në terrin informativ të krijuar, është një lajm i mirë që mbart farën për një shoqërie të hapur e trasparente në të ardhmen.

Kjo nismë është një fitore kundrejt hermetizimit në vendimmarrje dhe shmangjes së nëpunësve të lartë publikë nga transparenca dhe llogaridhënia.

Kjo nismë është një fitore kundrejt zyrtarëve të korruptuar që e fshehin qëllimisht punën dhe veprimet e tyre kriminale në dëm të pronës e në interes të fitimeve personale, nga drita e publikimit.

Kjo nismë është një fitore ndaj fallsitetit, së gjoja ndarjes dhe pavarësisë së pushteteve në qeverisje, që nga njëra anë miratojnë dokumenta me përmbajtje ligjore shembullore, por nga ana tjetër nuk i respektojnë ato.

Kjo nismë është gjithashtu një demaskim i hipokrizisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit që përgatit raporte formale, të mjaftueshme për të shmangur përgjegjësitë ligjore, por të pamjaftueshme, për të zbatuar frymën emancipuese të ligjit.

Kjo nismë është së fundi, një fitore e njeriut, e të drejtës së tij për të qënë i informuar mbi aksionin politik, si arma më e fuqishme në luftën për mbrojtjen e të drejtave të tij civile.

Çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë, në zyra shtetërore prodhohen dokumenta dhe akte për të cilat publiku, as që ia ka idenë. Një pjesë e rekrutëve në administratë, zëdhënës servilë e militantë inkompetentë, përpiqen të mos lejojnë publikimin e këtij informacioni.

Përmes gënjeshtrave të thëna publikisht e propagandës zyrtare, përmes lidhjeve të korruptuara mes grupeve të frikës e të interesit, kasta udhëheqëse ia ka dalë mbanë t’i mposhtë e t’i shndërrojë këta të ashtuquajtur shërbëtorë publikë, në shërbim të saj.

Ku shkojnë paratë, kush ka akses mbi to, si po menaxhohen burimet kombëtare dhe a janë shërbimet e qeverisë të denja për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.

Këto do të jenë disa prej përfitimeve të drejtpërdrejta, që qytetarët, gazetarët, grupet e interesit apo organizatat publike, përmes portalit publeaks.al, do t’u drejtojnë autoriteteve përgjegjëse, në kushtet e ruajtjes së anonimatit të plotë dhe ofrimit të ekspertizës nga kjo qendër informimi.

Qysh sot, me qindra kërkesa në muaj do të nisen drejt institucioneve të pavarura kushtetuese, digastereve qëndrore apo organeve drejtuese të pushtetit vendor.

Informacioni zyrtar si një e drejtë e çdo qytetari të Republikës do t’i bëjë ata më të vetëdijshëm mbi pushtetin real që kanë mbi qeverisjen, punën e zyrtarëve dhe burimet financiare të vendit. Por a do të garantohet përgjigja? Natyrisht, kjo nuk është e lehtë.

Të dhënat e grumbulluara nga Res Publica tregojnë se me rritjen e kërkesës, niveli trasnparencës ulet. Ndërkohë që koha në dispozicion të përgjigjes është e vogël, kthimi i saj, prej institucioneve, vonohet. Institucionet publikojnë informacionet që duan, por jo ato që u kërkohen.

Me dhjetëra agjenci, shërbime publike, refuzojnë të japin informacionin e kërkuar! Projektet me ndjeshmëri të lartë publike kalohen në heshtje. Dëgjesat publike, gjithashtu, janë thjesht një formalitet dhe mendimi kritik mungon nëpër websajtet e ministrive.

Një numër agjencisë shtetërore, përmes fshehjesh, gjoja nën petkun e organizatave jofitmprurëse, i shmangen programit të transparencës, ndërkohë që kryejnë funksione publike, organizojnë tendera e zbatojnë projekte investimesh që kushtojnë miliona euro.

Por, sidoqoftë, ka një shpresë në rritje. Numri i kërkesave, gjithashtu, po rritet. Presioni i gazetarëve po shtohet. Në këto rrethana, publeaks.al është një lajm i mirë.

Ndonëse në një klimë të mjegullt, kur niveli i korrupsionit, i borxhit, ka arritur majat, publeaks.al, si një instrument presioni ndaj burokracisë, ndaj arrogancës e neglizhencës zyrtare, përbën një lajm të mirë.

Ndonëse në një kohë kur propaganda dhe censura po depërton dhunshëm në opinionbërje, kur mediat e bizneseve familjare, i janë nënshtruar pushtetit politik për të përfituar prej tij para publike, publeaks.al, si një e drejtë e qytetarëve për transparencë e si një instrument në mbrojtje të të vërtetës përbën, pa dyshim, një lajm të mire.

Por edhe sikur të gjitha këto të mos ekzistonin, në një rrethanë magjike, imagjinative pra, sikur gjithçka të shkonte mirë, publeaks.al, si garanci e një mbrojtësi të interesit publik, mbetet absolutisht lajmi i mirë që jep shpresë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>