
Ministri Damian Gjiknuri ka kallëzuar penalisht në prokurorinë e Krimeve të Rënda ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Dashamir Xhika dhe dy zyrtarë të tjerë, për shpërdorim fondesh në rrugën Tiranë-Elbasan.
Dashamir Xhika, ish-drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Aksel Qurduka, ish-drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan dhe Albens Alite, drejtor aktual i të njëjtës njësi, akuzohen se i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 54 milionë dollarësh.
Kallëzimi penal u bë pas përfundimit të auditit tek ARrSh për “rregullshmërinë e ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimi e rrugës Tiranë-Elbasan”.
Dashamir Xhika, i emëruar nga Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), dha dorëheqjen në shtator 2017, me formimin e Qeverisë Rama 2.
Gjatë fushatës zgjedhore të 2017-ës, Xhika u hetua nga prokuroria, teksa ishte ende në postin e drejtorit të ARrSh-së, për blerje votash.
Po ashtu, në vitin 2016, ndaj Zotit Xhika ngriti padi Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) për shkaktimin e një dëmi prej 634 milionë lekësh në buxhetin e shtetit “përmes prokurimesh të pajustifikuara apo favorizimesh të kompanive ndërtuese të rrugëve.”