Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Flora Hajredinaj.
Hajredinaj është një prej tre gjyqtareve të trupës së gjykoi çështjen e ish-ministrit Saimir Tahiri.
Në shtator 2019, ajo bashkë me Irena Gjokën dhe Ardit Mustafajn, çliruan ish-Ministrin të Brendshëm Tahiri nga të gjitha akuzat e prokurorisë për trafik droge dhe e dënuan atë me 5 vite burg për shpërdorim detyre.
Vendimi u mor të premten nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Olsi Komici dhe Firdes Shuli.
Hajredinaj u konfirmua në detyrë megjithëse gjatë hetimit administrativ, KPK gjeti probleme me justifikimin e pasurisë në të paktën dy raste.
Gjyqtarja ka deklaruar si burime të ardhurash për blerjen e një apartamenti një kredi bankare në vlerën 4.8 milionë lekë, kursime bashkëshortore 1.6 milionë lekë dhe dhuratë nga vjehrri 40 mijë euro.
Sipas KPK-së, gjyqtarja nuk ka mundur të justifikojë me burime të ligjshme kursimin e 1,6 milionë lekëve. Po ashtu KPK ngriti dyshime nëse vjehrri i saj ka pasur mundësi për të kursyer dhe dhuruar 40 mijë euro.
Gjyqtarja tha se familja e bashkëhsortit të saj kishte të ardhura nga qiratë e dy lokaleve në qytetin e Bajram Currit dhe nga puna e djemve në emigrim, por nuk kishte dokumentet e plota për të vërtetuar këtë gjë.
Pavarësisht problemeve me deklarimin e pasurisë, KPK vendosi konfirmimin e saj në detyrë.