
Qeveria duket e vendosur t’u imponojë shqiptarëve një memorial të kërkuar nga Presidenti turk Erdogan, për një ngjarje, e cila nuk ka rëndësi, domethënie dhe lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ajo dhe Bashkia Tiranë kanë riparuar dhe ruajtur me kamera dhe punonjës sigurie monumentin për viktimat e grushtit të shtetit në Turqi, që u vendos në Parkun e Liqenit.
Katër kamera sigurie të vendosura në dy shtylla paralel, 2 punonjës bashkiakë dhe një tjetër civil janë vënë të ruajnë monumentin, i cili u thye në gusht të vitit të shkuar. Një burimi i tha Exit News se kamerat mbikqyren nga Ambasada turke.


Masat e marra janë bërë për shkak të vizitës së Ministrit turk në vend. Në korrik 2019 Bashkia Tiranë e ngriti monumentin në Parkun e Liqenit si përkujtimore për nder të 251 qytetarëve turq të vrarë gjatë grushtit të dështuar të shtetit të korrikut 2016.
Gjithashtu, me mbështetjen e qeverisë turke, Bashkia mbolli aty 251 rrape të sjella nga Turqia, dhe rrugës i dha emrin “Dëshmorët e 15 Korrikut”.
Lajmi për ngritjen e këtij memoriali shkaktoi komente dhe debate në publik, pasi qeveria dhe bashkia e kishin mbajtur të fshehtë vendimin dhe ndërtimin e tij.
Një peticion online, pas botimit të lajmit, për heqjen e memorialit dhe të emrit të rrugës dhe parkut përkatës, i mblodhi në pak ditë mbi 10 mijë mbështetës. Por ai u shpërfill nga Bashkia Tiranë.
Qytetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile protestuan kundër ngritjes së memorialit në Parkun e Liqenit. Pavarësisht protestës paqësore, ata u rrethuan nga një numër i madh policësh me uniformë dhe civilë.