Për Kamzën është folur shumë, veçanërisht në Tiranë. Por, siç ndodh rëndom në media dhe debatin tone publik, për të flitet me shumë përmes thashethemnajës, legjendave urbane, anekdotave, të mbështetura mbi të gjitha në paragjykime dhe fantazi. Rrallë, shumë rrallë diskutimi ka qenë i bazuar në realitet e fakte.
Edhe sikur të doja unë nuk do të mundja ta rrëzoja këtë imazh, por mund të përpiqem të ofroj një vështrim realist mbi qytetin e Kamzës.
Pak histori
Burimet historike në lidhje me këtë zonë janë shumë të pakta, për të mos thënë mungojnë plotësisht. Në burimet historike që kemi emri Kamëz përmendet për herë të pare rreth viteve 1430–1431. Mund të thuhet me njëfarë sigurie se kjo zonë nuk duket të ketë luajtur ndonjë rol të veçantë në historinë tonë, nga lashtësia e deri në ditët moderne.
Para viteve 1990, Kamza ishte një zonë shumë pak e populluar dhe kryesisht bujqësore. Ndoshta me këtë karakteristikë lidhet edhe hapja në Kamëz e universitetit të parë shqiptar në vitin 1952, fillimisht i quajtur Instituti Bujqësor i Kamzës e më pas Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Kamza sot
Zhvillimet e mëdha dhe transformimi i shpejtë i Shqipërisë në vitet e fundit e kanë ndikaur dhe prekur Kamzën më shumë se shumë zona të tjera të vendit. Në shumë aspkete ky qytet është pasqyra më e mirë e tranzicionit shqiptar, me të mirat dhe të metat e tij.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, popullsia e Kamzës arrin në rreth 105 mijë banorë, ndërsa në regjistrin civil janë të regjistruar një numër më i lartë qytetarësh.
Numri i lartë i popullsisë, kryesisht i ardhur nga zonat e tjera të vendit, dhe ekonomia e dobët e zonës kaçuar në papunësi të lartë. Sipas të dhënave zyrtare papunësia në Kamëz është rreth 50 për qind, ndërkohë në rang vendi ajo është rreth 30 për qind. Papunësia ka prekur kryesisht të rinjtë dhe gratë, mes të vilëve shënohet numri më i madh i të papunëve.
Papunësia është shkaku kryesor i varfërisë: rreth 3 700 familje ose rreth 22 000 qytetarë trajtohen me ndihmë ekonomike. Ky është një tregues i qartë i nivelit të lartë të varfërisë dhe nevojës për ndërmarrjen e politikave për nxitjen e punësimit.
Mes të punësuarve, pjesa më e madhe punojnë në sektorin e shërbimeve, rreth 57 për qind, në industry, rreth 37,5 për qind, dhe vetëm 5,3 për qind në bujqësi, çfarë tregon strukturën ekonomike urbane të Kamzës.
Zhvillimi ekonomik në Kamëz ashtu si pothuajse në gjithë vendin ka një një nivel shumë të lartë informaliteti. Qyteti numëron diku rreth 1 600 biznese, të cilat janë më së shumti biznese të vogla familjare, të përqendruara kryesisht në sektorët e tregtisë dhe shërbimeve.
Vitet e fundit është vënë re një rritje e lehtë e bizneseve me natyrë industriale siç janë bizneset ndërtuese, industria e lehtë dhe ushqimore.
Numri i lartë i të ardhurëve që janë vendosur në Kamëz ka bërë që të ndryshojë edhe destinacionin e tokave dhe rritjen e vlerës së tyre. Ka investime të mëdha të të ardhurve në strehim, çka krahas rolit zhvillimor ka sjellë pasoja negative, oërfshi numrin e laftë të ndërtimeve të paligjshme dhe informale. Megjithatë vitet e fundit ka përpjekje për legalizimin e ndërtesave dhe pengimin me anë të masave administrative për ndërtimet pa leje.
Vitin e kaluar, Bashkia Kamëz pjesën më të madhe të buxhetit të saj rreth 55 për qind e kishte të kushtuar kryesisht për investime publike në rrugë, ujësjellës, kanalizime, objekte arsimore etj. Për shkak të konfliktit politik ndërmjet pushtetit qendror dhe atij vendor, buxheti i bashkisë mbështetej kryesisht në të ardhurat e saj.
Sipas të dhënave zyrtare aktualisht vetëm 40 për qind e banorëve të Kamzës kanë qasje në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve. Zgjidhja e këtij problemi kërkon një bashkëpunim institucional të bashkisë Kamëz me atë të Tiranës, bashkëpunim i cili duket i vështirë në kushtet e konfliktualitetit të skajshëm politik.
Sa i përket energjisë elektrike, me pak përjashtime, ka një furnizim 24 orë në ditë me energji dhe rreth 99 për qind e konsumatorëve janë të pajisur me kontrata e matës. Ndërsa vazhdon shlyerja e detyrimeve të prapambetura, kamatëvonesat sjellin një rëndesë të konsiderueshme në ekonomitë familjare.
Është folur shpesh me njëfarë ironie dhe përqeshje për emrat e rrugëve të Kamzës, që nuk janë tjetër veçse emra qytetesh të huaj, kompanish të mëdha ndërkombëtare apo personalitetesh botërore, por nuk është dëgjuar të thuhet për shembull se janë të asfaltuara 140 km rrugë nga 221 km në total, rreth 63,3 përqind, një përqindje mjaft e lartë po të krahasohet me qytetet e tjera të vendit. Nga ana tjetër, transporti publik funksionon rregullisht, por vazhdon të mbetet problem integrimi i linjave në ato të kryeqytetit dhe mosnjohja e aboneve, që sjell kosto të dyfishta për qytetarë që studiojnë apo punojnë në Tiranë.
Në Kamëz ka rreth 48 institucione arsimore, ndër to 20 kopshte, 22 shkolla 9-vjeçare dhe 6 shkolla të mesme. Vlen të përmendet shkolla e mesme profesionale, ndër më modernet edhe në rang vendi, e cila synon të formojë profesionistët e ardhshëm për të cilët tregu ka mungesa të shumta.
Problematike paraqitet edhe gjendja e mjedisit ashtu si edhe për qytetet e tjera e kryesisht ato të mbipopulluara, ndaj është detyrë primare menaxhimi i mbetjeve të ngurta, riciklimi dhe rehabilitimi i sipërfaqeve të gjelbra. Për t’u vlerësuar janë një sërë projektesh të ndërmarra nga pushteti lokal apo edhe organizata joqeveritare për edukimin mjedisor, sensibilizimin për mbrojtjen e mjedisit dhe bashkëpunimin e komunitetit për menaxhimin e mbetjeve.
E ardhmja
Përgjithësisht pranë qyteteve të mëdha europiane ka qytete më të vogla, mjaft të zhvilluara, me popullsi në rritje dhe mjaft të lakmuara për të jetuar, studiuar e punuar. Sepse këto zona ofrojnë çdo gjë që ka në qytetet e mëdha, me përjashtim të rrëmujës, zhurmës, taksave dhe çmimeve më të larta si dhe vështirësisë për t’u integruar në komunitet.
Ky mund të jetë edhe fati historik i qytetit të Kamzës. Të ofrojë çdo gjë që ka Tirana, por edhe një sërë përfitimesh të tjera.
Ndaj, banorët e Kamzës nuk kanë asnjë arsye pse ta ndjejnë veten qytetarë të dorës së dytë, përkundrazi ata duhet të ndjehen mirë që falë punës së tyre po e shndërrojnë Kamzën nga një katund i madh e kaotik në një qytet modern.