Kancelari Scholz vë në vështirësi të ardhmen e Ballkanit të Hapur

Nga Bledar Qalliu
Kancelari Scholz vë në vështirësi të ardhmen e Ballkanit të Hapur

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka njoftuar se do ta ripërtërijë Procesin e Berlinit dhe veçanërisht “Tregun e Përbashkët Rajonal”, një nismë e fuqishme e dakordësuar nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, paralelisht me të cilën Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nismën e tyre “Ballkani i Hapur”.

“Bashkëpunimi rajonal ka potencial të madh. Me Procesin e Berlinit Gjermania ka vite që angazhohet në këtë drejtim. Këtë dëshiroja të rigjallëroj së bashku me partnerët me një ftesë në Berlin në gjysmën dytë vitit. Projekti aktual më i rëndësishëm i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit është krijimi i një Tregu të Përbashkët Rajonal. Këtu shpresoj që do të arrijmë me shpejtësi katër marrëveshje të rëndësishme për lëvizjen e lirë të personave dhe njohjen e diplomave profesionale”, deklaroi Kancelari Scholz në një konferencë për media me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti të mërkurën, sipas përkthimit zyrtar në shqip.

Premtimi i Scholz-it për të avancuar Tregun e Përbashkët Rajonal (TPR) me energji të reja hedh dyshime serioze mbi të ardhmen e nismës së Ballkanit të Hapur. 

Tregu i Përbashkët Rajonal u themelua në nëntor 2020 në kuadër të Procesit të Berlinit – një platformë nën ombrellën e Bashkimit Evropian që synon të forcojë bashkëpunimin midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të ndihmojë integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Një plan i hollësishëm dhe i gjerë veprimi bashkangjitur TPR-së parashikon projekte për përmirësimin e ekonomisë, infrastrukturës, mjedisit, sigurisë në rajon, me investime të mundshme deri në 29 milionë euro.

Përmes TPR-së, gjashtë vendet hoqën tarifat e roaming mes tyre në korrik 2021, ndërsa më shumë marrëveshje pritet të nënshkruhen në samitin e ardhshëm, përfshi lëvizjen me karta identiteti, lëvizjen e lirë për qytetarë të vendeve të treta dhe njohjen e kualifikimeve akademike dhe profesionale.

Paralelisht me TPR-në, liderët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë nisur nismën e Ballkanit të Hapur. Kjo fokusohet në mënyrë specifike te lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në rajon, të cilat janë gjithashtu pjesë e njërës prej katër shtyllave kryesore të TPR-së.

Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi deri më tani kanë refuzuar të hyjnë në Ballkanin e Hapur, pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga nismëtarët. Ata argumentojnë se një nismë si TPR në kuadër të Procesit të Berlinit është gjithëpërfshirëse dhe më e dobishme për rajonin dhe për secilin vend.

Pikërisht këtë e theksoi Kurti në konferencën e sotme për media me Scholz në Berlin.

“Ne mbështesim plotësisht Procesin e Berlinit dhe e mirëpresim përkushtimin e Kancelarit për të rifilluar këtëproces me një dinamikë të re. Po ashtu ne mbështesim Trgun e Përbashkët Rajonal, i cili ndodhet brenda Procesit të Berlinit dhe rregullave të Bashkimit Evropian, është gjithëpërfshirës, i ka katër liritë, prandaj edhe nuk mbështesim iniciativa të tjera paralele”, tha Kurti, qartazi duke e goditur Ballkanin e Hapur.

Ai më tej theksoi se për Kosovën “bashkëpunimi rajonal nuk është zëvendësim për anëtarësim në Bashkimin Evropian por përshpejtim” – një deklaratë që duket se kundërshton një thirrje të mëparshme të kryeministrit shqiptar Edi Rama që BE-ja të mbështeste haptazi nismën e tij dhe t’i nxiste vendet refuzuese të hynin në Ballkanin e Hapur, duke pasur parasysh se BE-ja nuk po zgjerohet.

Scholz gjithashtu vuri në dukje gjatë sesionit të pyetjeve dhe përgjigjeve me gazetarët se gjashtë vendet “marrin pjesë me dëshirë” në Procesin e Berlinit dhe udhëheqësit e tyre janë të gëzuar për planin e tij për të thirrur një samit këtë vit. “Do të kemi një bazë të mirë, në mënyrë që bashkëpunimi [në Procesin e Berlinit] të funksionojë dhe të arrijmë rezultate të mira. Kjo nuk mund të shpallet nga lart, por duhet arritur së bashku”, tha kancelari.

Tre udhëheqësit e Ballkanit të Hapur – Rama, Vuçiç dhe Zaev – janë kritikuar për fillimin e nismës së tyre pa u konsultuar me vendet e tjera të rajonit.

I pyetur për arsyet e mbështetjes së Procesit të Berlinit dhe hedhjes poshtë të Ballkanit të Hapur, Kurti vuri në dukje se ky i fundit mund të hapë rrugën për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.

“Evropa është kontinenti ynë  dhe BE është fati ynë. Të gjitha iniciativat rajonale ne i pranojmë, i mirëpresim dhe i konsiderojmë të dobishme, atëherë kur e kemi BE-në brenda si vlerë dhe, gjithashtu, pjesëmarrës aktiv. Të gjitha iniciativat e tjera paralele, të cilat dëshirojnë të hapin Ballkanin për fuqitë nga lindja apo verilindja, ne nuk i mirëpresim dhe konsiderojmë se janë të panevojshme. Kosova dhe Ballkani janë të hapura për BE-në dhe NATO-n, për Gjermaninë, dhe kjo është mëse e mjaftueshme”, tha Kurti, qartazi duke e goditur Ballkanin e Hapur.

Plani për Ballkanin e Hapur u shpall në vitin 2019. Arritja e tij deri tani ka qenë që shqiptarët dhe serbët mund të udhëtojnë në vendet përkatëse duke përdorur vetëm letërnjoftimin. 

Udhëheqësit e Ballkanit të Hapur kanë premtuar disa herë do të zbatojnë marrëveshje të shumta që do të nënshkruhen në të ardhmen e afërt, por skepticizmi për nizmën në kryeqytetet rajonale dhe evropiane ka rezultuar në samit pas samit, ku Rama dhe Vuçiçi u kanë bërë thirrje tre vendeve refuzuese që të hyjnë në nismën e tyre.

Asnjë lider i asnjë kryeqyteti evropian nuk e ka përmendur me emër Ballkanin e Hapur, megjithëse as e kanë kundërshtuar drejtpërdrejt.

Rama dhe Vuçiçi janë zotuar ta vazhdojnë iniciativën e tyre, pavarësisht refuzimit të Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi për t’u anëtarësuar. Madje Vuçiçi e ka paraqitur ndërkombëtarisht këtë nismë si kontributin e Serbisë për paqen ne rajonin e Ballkanit.  

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>