Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh sot kundër ndryshimit të kufijve në vendet e Ballkanit Perëndimor, ide që kohët e fundit po qarkullon si zgjidhje për konfliktin Kosovë-Serbi.
Në një konferencë të përbashkët shtypi bashkë me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Denis Zvizdip, Angela Merkel tha se megjithëse ka tendenca të caktuara në Ballkan për rivendosje të kufijve, një gjë e tillë, sipas saj, nuk duhet të bëhet.
Merkel tha se për vendet e Ballkanit Perëndimor ka një prespektivë evropiane dhe ajo është rruga që duhet të ndjekin.
Ditët e fundit, liderët e Serbisë e Kosovës kanë deklaruar se shkëmbimi i territoreve, specifikisht kalimi i Mitrovicës së Veriut Serbisë dhe i Luginës së Preshevës Kosovës, mund të jetë zgjidhja e konfliktit Serbi-Kosovë.
Deri më tani, banorët e Mitrovicës së Veriut nuk e kanë mbështetur këtë propozim.