
Para takimit me kryeministrin Rama në Berlin, Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se do të donte që në mars Bashkimi Europian të hapte negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Merkel u shpreh:
“Mbi të gjitha, ne duam të arrihet një marrëveshje në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet kanë arritur shumë. Ne do të punojmë tani që këto arritje të marrin meritën e tyre me një rezultat në mars.’
Ndërkohë takimi mes Ramës dhe Merkelit ka përfunduar por ende nuk ka një deklaratë për shtyp.
Tema kryesore e bisedës ka qenë ndihma që do të japë Gjermania në organizimin e Konferencës së Donatorëve më 17 shkurt në Bruksel, që ka si qëllim mbledhjen e fondeve për procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit.