Kancelarja gjermane Angela Merkel ka mbërritur në Tiranë ku është pritur me një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave nga kryeministri Rama.
Merkel dhe Rama do të zhvillojnë një takim ‘kokë më kokë’ për disa minuta e më pas do të vijojë takimi mes delegacioneve të dy shteteve.
Në të njejtën ditë në Tiranë do të jenë mbledhur kryeministrat e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor me të cilët Merkel do të zhvillojë një takim të përbashkët për çështjet e bashkëpunimit rajonal në Tirana Business Park
Në këtë takim nuk do të jetë presidenti serb Aleksandër Vuçiç, me të cilin Merkel u takua të hënën në një vizitë në Beograd.
Rreth orës 14.35 do të mbahet konferenca për shtyp mes kryeministrit Rama dhe kancelares Merkel.
Gjatë kohës së saj në Tiranë, kancelarja ka planifikuar bisedime dypalëshe me krerët e qeverive të Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Ardhja e kancelares gjermane vjen në një kohë kur Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë vendosur të thellojnë bashkëpunimin e tyre përmes nismës së Ballkanit të Hapur. Por kjo nismë është kundërshtuar nga Kosova, Bosnja Hercegovina dhe Mali i Zi.
Në një përgjigje për Deuthche Welle disa javë më parë, qeveria gjermane kërkoi që vendet e Ballkanit Perëndimor të firmosin më 6 tetor krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal mes tyre por shmangu referimin direkt ndaj “Open Balkans”
Tregu i Përbashkët Rajonal është një iniciativë në kuadër të Procesit të Berlinit që synon krijimin e një zone rajonale për tregtinë, investimet, digjitalizimin, industrinë dhe inovacionin. Rezultati i tij i parë ishte heqja e tarifave të roaming-ut në Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga korriku 2021.
Procesi i Berlinit, një iniciativë e kancelares Merkel, filloi në 2014 si një platformë për të siguruar integrim më të lartë brenda Ballkanit Perëndimor, pasi vetë zgjerimi i BE kishte ngecur. Qëllimi i tij ishte të mbante vendet e Ballkanit Perëndimor në gjirin e BE-së, të sigurohej zbatimi relativ i reformave dhe të mbaheshin kontakte të nivelit të lartë midis Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqësve të BE-së.