Kandidatët e pavarur për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit kanë nisur mbledhjen e firmave gjatë kësaj jave.
Deri më tani kanë shpallur kandidaturën për deputet të pavarur në zgjedhjet e 25 prillit tre persona:
- Boiken Abazi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, do të kandidojë në qarkun e Tiranës;
- Iliaz Shehu, pedagog dhe aktivist i Vetëvendosjes, do të kandidojë në qarkun e Lezhës;
- Elton Debreshi, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, do të kandidojë në Dibër.
Sipas Kodit të ri Zgjedhor, kandidatët e pavarur për deputetë duhet të dorëzojnë fillimisht një sërë firmash për tu regjistruar në zgjedhje. Numri i firmave nga qytetarët duhet të jetë sa 1 përqind e listës së zgjedhësve të zonës zgjedhore ku kandidon.
Të gjithë qytetarët e interesuar, mund të firmosin për të lejuar kandidimin e aktivistëve të Vetëvendosjes, në një stendë pranë Galerisë së Arteve në Tiranë.
Ndërsa, Sindikata e Minatorëve ka nisur mbledhja e firmave për Debreshin, në qarkun e Dibrës.
Debreshi ka thënë se qëllimi i kandidmit të tij në zgjedhjet e 25 prillit është miratimi i Statusit të Minatorit.
Ndërsa VV-ja në Shqipëri ka thënë se angazhimi i tyre në zgjedhje synon të ofrojë një alternativë ”në mënyrë që shqiptarët të mos ndihen të detyruar të largohen”.