Kandidatët për drejtor të AMA-s nuk plotësojne kriteret – Kuvendi duhet të anulojë konkurrimin

Nga Exit News
Kandidatët për drejtor të AMA-s nuk plotësojne kriteret – Kuvendi duhet të anulojë konkurrimin

Asnjë prej katër kandidaturave për kryetar të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) nuk plotëson kushtin e parashikuar në ligj për pasjen e 10 viteve eksperiencë pune në fusha të lidhura me median.

Ligji për AMA-n, në nenin 8, pika 2, parashikon se për tu zgjedhur anëtar i AMA-s, duhet të paktën 10 vjet eksperiencë pune në fushat e medias, teknologjisë së medias, artit e kulturës, ligjit e administritmit publik.

Ligji ndalon dhe kandidimin e personave të anëtarësuar në parti politike, por jo tekstualisht të funksionarëve të lartë politikë në organet qeverisëse.

Në memon e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit Genci Gjonçaj drejtuar Komisionit të Edukimit, për të gjithë kandidatët për kryetar, kuptohet qartë që asnjë prej tyre nuk i përmbush vitet e eksperiencës së kërkuar dhe siç Exit News ka sqaruar më parë, janë persona politikë. Për këto arsye, kuvendi duhet të anulojë garën dhe të hapë sërish aplikimet.

Kandidatët për kryetar

Maklen Misha është që prej vitit 2019 këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes, në periudhën 2015-2018 ka qenë këshilltar për komunikimin publik i Kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj.

Nga viti 2011-2013 ka qenë pjesë e grupit të punës që hartoi programin e punësimit në Partisë Socialiste dhe ish-këshilltar i Edi Ramës kur drejtonte Bashkinë Tiranë.  Ai po ashtu është bashkëthemelues i “Lëvizjes G99” në vitin 2008.

Sipas memos për kandidaturat, Maklen Misha ka në total 10 vite e 10 muaj nga të cilat, 6 vite e katër muaj janë punë si këshilltar i Edi Ramës, i Erion Veliajt në Bashkinë Tiranë dhe këshilltar i ministres Olta Xhaçka.

Posti i këshilltarit është post politik dhe nuk mund të quhet eksperiencë pune në fushat e përmendura nga ligji. Si pasojë, Maklen Misha ka vetëm 4 vite e 6 muaj eksperiencë pune të vlefshme për të kandiduar si anëtar i AMA-s.

Edvin Kukunja, ish-këshilltar ligjor në Ministrinë e Arsimit, dhe prej vitit 2018 këshllltar ligjor në Ministrinë e Drejtësisë.

Sipas Memos, Edvin Kukunja ka vetëm 4 vite e 7 muaj eksperiencë pune dhe e gjithë eksperienca e tij është si këshilltar në ministrinë e Arsimit dhe në ministrinë e Drejtësisë.

Kështu as Edvin Kukunja nuk e plotëson kushtin për eksperiencën e nevojshme të punës.

Fatjon Hoxhalli, sipas memos, ka 6 vite pune dhe 4 vite e 3 muaj ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm në Qendren Agenda. Nga këto, 2 vite e 10 muaj janë eksperiencë pune si këshilltar i kryeministrit Rama, i ministrit të Bujqësisë dhe i ministrit të Arsimit.

Njësoj si në rastin e Maklen Mishës, postet politike nuk mund të quhen eksperiencë pune që vlejnë për tu kualifikuar, ndaj Hoxhalli ka vetëm 3 vite e 2 muaj eskperiencë pune të vlefshme.

Edhe nëse vitet e punës si bashkëpunëtor i jashtëm do të quhen nga komisioni, totali i eksperiencës së punës do të jetë 7 vite e 5 muaj punë.

Denis Dedej ka në total 7 vite e 9 muaj punë, nga të cilat 4 vite janë si Drejtor i Informacionit në Bashkinë Tiranë, dhe 3 vite eksperiencë si konsulent i jashtëm në gazetën ‘Koha Jonë’, në periudhën 2007-2010, kohë kur ende nuk kishte përfunduar studimet Bachelor. Dhe në këtë rast arsyetimi është i njëjtë me rastet e mësipërme.

Në memo nuk bëhet asnjë koment nëse personat e plotësojnë ose jo kushtin për kryetar të AMA-së. Ndërkohë që për 10 persona që kandidojnë vetëm për anëtar, në memo shkruhet qartë nëse kandidati e përmbush kriterin e eksperiencës së punës ose jo.

Përveç mospërmbushjes së kritereve, të katër kandidatët janë thellësisht persona të politizuar, sikurse shihet edhe nga jetë shkrimi i tyre.

Emërimi në krye të AMA-s të një prej katër kandidatëve poltikë do të ishte një goditje e rëndë e besueshmërisë së AMA-s, që sipas ligjit duhet  të jetë organ i pavarur.

Procedura për zgjedhjen e kryetarit të AMA-s

Sipas ligjit, Kuvendi i dërgon Komisionit të Edukimit listën me kandidatë. Ky i fundit duhet të bëjë për çdo kandidat verifikimin për përmbushjen e kritereve të përcaktuara në ligj.

Komisioni, pas verifikimit të kandidaturave, identifikon katër kandidatët që kanë marrë mbështetjen më të madhe midis anëtarëve të komisionit.

Përfaqësuesit e opozitës në komisionin e Edukimit duhet të përjashtojnë dy nga katër kandidatët e përzgjedhur.

Më pas, 2 kandidatët e mbetur i kalojnë Kuvendit për votim.

Kryetar i AMA-s zgjidhet ai kandidat që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>