Raporti i fundit i publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ngre shqetësime të thella për gjendjen e korrupsionit në Shqipëri ndërsa ai i Transparency International (TI) shkon edhe më tej duke folur për kapje të shtetit.
Nisur nga gjetjet e këtyre raporteve, në emisionin “Me Pak Fjalë” u shpjegua mekanizmi i kapjes së shtetit.
Korrupsioni në Shqipëri ka ardhur duke u rritur. Ai ka kalur nga korrupsioni i vogël, paratë nën dorë për shërbime publike, për një certifikatë, dokument, tek korrupsioni i madh kur drejtues të lartë manipulojnë dhe përvetësojnë shuma të mëdha parash.
Kapja e shtetit nuk është thjeshtë korrupsion. Korrupsion është kur shteti bën një tender për të bërë një projekt me rëndësi publike dhe me kushte teknike të ndershme por njëri nga pjesëmarrësit paguan rryshfet për t’u shpallur fitues.
Kapje e shtetit është kur publiku nuk ka nevojë fare për këtë shërbim por shteti e vendos ta bëjë këtë shërbim, t’i bëje edhe specifikimet e tenderit vetëm për një kompani.
Në vend që të prodhojë shërbime dhe të mira publike, shteti i kapur prodhon të mira private për individë ose kompani të caktuara.
Raporti i TI që flet për kapjen e shtetit ka arritur në disa përfundime të rënda për Shqipërinë.
Sipas tij, “dekada e fundit ka dëshmuar një forcim të bashkëpunimit midis politikës, biznesit dhe krimit të organizuar”.
“Bashkëpunimi mes partive politike, zyrtarëve publikë dhe grupeve të krimit të organizuar për blerjen e votave në zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme në këmbim të shfrytëzimit të institucioneve publike për interesa private e ka dëmtuar rëndë integritetin e procesit zgjedhor”, thuhet në raport ku theksohet se “këto prirje vazhdojnë pa u ndalur”.
Qëllimi kryesor i kapjes së shtetit është shmangia e konkurrencës përmes krijimit të monopoleve i cili jo gjithmonë ka si synim pasurimin monetar por edhe mbrojtjen e pushtetit politik.
Raporti shprehet se sektorët kryesorë ku ka kapje të shtetit janë: energjia, infrastruktura (transport dhe menaxhim i mbetjeve), mbrojtja dhe kujdesi shëndetësor.
Disa nga rastet që përmenden janë konçesionet e inceneratorëve dhe ato të shëndetësisë.
Megjithëse flitet për kapje të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, Kuvendit dhe qeverisë, të dy raportet nënvizojnë edhe problemet e drejtësisë edhe gjyqsorit.
Pandëshkueshmëria në raste të përsëritura dhe mbyllja e këtyre çështjeve edhe kur ato janë denoncuar nga aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe vendas, është një nga shqetësimet kryesore që ngrejnë DASH dhe TI në raporte.
Madje TI thotë se një nga arsyet përse përballja me sfidën e kapjes së shtetit do të vijojë është edhe pasiguria e krijuar nga rezultatet e reformës në drejtësi.