Aleanca e Vendeve Kënetore të Mesdheut i ka kërkuar Qeverisë shqiptare të anulojë projektin për ndërtimin e resortit turistik “Resort Divjaka Albania” në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë.
Me anë të një letre drejtuar Kryeministrit Rama dhe Ministrit të Mjedisit Koka, aleanca prej 20 organizatash në mbrojtje të mjedisit ka shprehur shqetësimin për ndikimet negative dhe të pakthyeshme që ndërtimi do të ketë në park dhe trashëgiminë e tij natyrore:
“Parku Divjakë-Karavasta është një nga dy ligatinat më të rëndësishme në pellgun e Adriatikut, që paraqet një vend shumë të rëndësishëm, kyç për kafshët e egra. Parku vizitohet çdo vit nga miliona shpendë në rrugën e tyre të migrimit dhe është një aset me shumë vlerë për ekonominë lokale.”
Organizatat mjedisore vlerësojnë faktin se Qeveria shqiptare e ka shpallur zonë të mbrojtur të kategorisë së dytë Parkun Divjakë-Karavasta, çka ka sjellë rritjen e numrit të kafshëve e shpendëve të rrallë që rriten e jetojnë aty dhe ka pasur ndikim pozitiv në zhvillimin e turizmit në park.
“Duke nxjerrë mësime nga tërë pellgu i Mesdheut, por edhe në mbarë botën, duket qartë se një ligatinë e tillë paraqet një vlerë të rrallë për Shqipërinë në aspektin e biodiversitetit”, shprehen organizatat.
Në këtë kontekst, Aleanca në mënyrë të qartë konsideron se iniciativat për zhvillimin e “Resort Divjakë Albania” do të ishin jashtëzakonisht negative dhe të papranueshme. Do të ishte në kundërshtim të plotë me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë në kuadrin e Konventës së Ramsarit, Konventës së Bernës për Rrjetin Emerald, Konventës së Bonit”, mbyllet letra.
Aleanca e organizatave shprehu gatishmërinë për të dialoguar me qeverinë dhe organizatat mjedisore shqiptare për përmirësimin dhe ruajtjen e Parkut Kombëtar të Divjakë-Karavastasë.
Shqetësimin për planifikimi për ndërtimin e resorit “Resort Divjaka Albania” brenda Parkut të Divjakë-Karavastasë, Exit.al dhe dhjetra ambientalistë e qytetarë të angazhuar e kanë ngritur prej disa javësh.
Ndërtimi i resortit shkel ligjin për zonat e mbrojtura dhe dëmton në mënyrë të patjetërsueshme 1170 hektarë të një prej parqeve të pakta të mbetur në Shqipëri.