Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve hodhi poshtë të gjitha ankesat e Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të kandidatëve të pavarur për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjve në qarqet e vendit.
Sot, më 31 maj, KAS hodhi poshtë kërkesën e PD-së për Korçën dhe Fierin, dy ankesat e fundit të pa shqyrtuara. KAS nuk pranoi asnjë kërkesë të subjekteve politike.
PD kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë në 9 qarqe: Tiranë, Elbasan, Durrës, Shkodër, Fier, Korçë, Vlorë, Berat, Gjirokastër.
LSI kërkoi rinumërimin e kutive të votimit në Berat, Fier, Gjirokastër dhe Durrës. KAS rinumëroi kutitë e kërkuara nga LSI, por rezultati nuk ndryshoi.
Kandidati i pavarur Bojken Abazi kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Tiranë, duke paraqitur prova filmike për manipulimin e votës.
Kandidati i pavarur Kreshnik Merxhani kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjejeve në Gjirokastër.
Kandidati i pavarur Iljaz Shehu u tërhoq nga ankimi për qarkun e Dibrës, pasi e akuzoi KAS për anëshmëri politike.
Tashmë të gjitha vendimet e KAS, janë dërguar në Kolegjin Zgjedhor nga PD dhe LSI.
Certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve do të bëhet pas përfundimit të ankesave në Kolegj Zgjedhor.