KAS rrëzon gjobën qesharake ndaj kreut të Kadastrës Qalliu

Nga Exit News
KAS rrëzon gjobën qesharake ndaj kreut të Kadastrës Qalliu

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) ka hequr gjobën prej 1500 lekë, dhënë nga KQZ, ndaj kreut të Kadastrës së Lushnjës, Arben Qalliu.

Në 14 janar, Qalliu u gjobit pasi shkeli vendimin e KQZ-së për të mos përdorur administratën publike në fushatë zgjedhore.

Qalliu bashkë me deputetin e PS-së, Bujar Çela kanë shpërndarë në Lushnje leje legalizimi tek qytetarët e Lushnjes.

Pavarësisht se vlera e gjobës ishte qesharake, Qalliu e ka apeluar në KAS vendimin e KQZ-së.

KAS, i drejtuar nga ish-deputeti demokrat Ilir Rusmali, hodhi poshtë gjobën me argumentin se aktiviteti për të cilin akuzohet Qalliu ka ndodhur jashtë periudhës 4-mujore para datës së zgjedhjeve. Po ashtu, KAS argumentoi se aktiviteti i reklamuar në media, “nuk përbën aktivitet publik” në kuptim të ligjit pasi nuk ka ndodhur në hapësira publike.

Gjatë mbledhjes Rusmali u shpreh:

“Nga dokumentacioni i administruar është provuar që deputeti Bujar Çela ka pozuar me banorë të njësisë administrative Hysgjokaj. Pozimi ka ndodhur me çertifikatat e pronësisë në duar, në brendësi të banesave, në oborret ose në hyrje të tyre.

Nuk rezulton e provuar që kryerja e veprimtarisë të jetë bërë në vende të hapura për publikun, në sheshe apo në mjedise komunitare të zonës apo që publiku të jetë ftuar në shfaqje.”

Vendimi në KAS për të rrëzuar gjobën u mor me tre vota pro, përfshirë dhe atë të Rusmalit, dhe dy kundër.

Në dhjetor 2020, vendimi i KQZ-së për të dënuar përdorimin e administratës publike në fushatë u komentua si një lajm pozitiv në publik.

Por mjaftoi vetëm një rast për të treguar se edhe në ato raste kur KQZ gjobit, megjithëse me një vlerë qesharake, është KAS ai që rrëzon gjobat, duke i hapur rrugë partive politike, veçanërisht asaj në pushtet, që të përdorë administratën në fushatë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>