Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ ka hequr gjobën ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj lidhur me shkeljet e pretenduara të Kodit Zgjedhor.
KAS vlerësoi se Veliaj nuk është personi përgjegjës mbi raportimin e aktivitetit për të cilin ai u akuzua se ka shkelur rregullat zgjedhore.
Veliaj u gjobit me 75 mijë lekë nga KQZ pas denoncimit të LSI për vizitat e tij në shtëpitë e rindërtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Sipas vendimit, Veliaj nuk kishte raportuar për aktivitetin dhe kishte kryer inaugurime.
KAS tha se kryebashkiaku nuk ka përgjegjësi administrative dhe raportimi është bërë në përputhje me ligjin.
Në vendimin e tyre ata argumentuan se gjatë aktivitetit nuk janë ndarë leje apo certifikata pronësie.
KQZ ka miratuar një vendim mbi aktivitetet e ndaluara, ku përcaktohet se vizitat në shtëpitë e rindëruara janë të ndaluara përveç rasteve kur fondet ose projekte kanë filluar përpara periudhës së ndaluar.