Sipas burimeve konfidenciale pranë Drejtorisë Rajonale Antimafia të Katanias, hetimi për çështjen Rosa dei Venti të trafikut të drogës midis Shqipërisë dhe Siçilisë po shkon me shpejtësi përpara falë një të penduari të ri “shqiptar, të nivelit të lartë”.
Nga shtatë shqiptarë dhe italianë të arrestuar në muajin tetor, tashmë tre prej tyre kanë pranuar të bëhen bashkëpunëtorë të drejtësisë.
Akoma më e rëndësishme, nga tre shqiptarë të arrestuar, dy prej tyre janë penduar dhe po bashkëpunojnë më drejtësinë italiane.
Hetimi, në fakt, ka filluar më vitin 2013, por u bë publik vetëm në muajin tetor me arrestimin në Katania të tre shqiptarëve dhe katër italianëve, dhe me lëshimin e urdhër arresteve për katër persona të tjerë. Një urdhër arrest u zbatua në Vlorë pak ditë më pas nga policia shqiptare. Sipas burimeve të shtypit shqiptar, i arrestuari në Shqipëri ka kërkuar me këmbëngulje të ekstradohet në Itali.
Hetimi në Itali tashmë vazhdon në mënyrë aktive falë një grupi të madh prokurorësh dhe gjyqtarësh të koordinuar nga Prokurori Bonomo, më ndihmën njësisë GICO të Guardia di Finanza dhe njësisë ROS të karabinerisë italiane. Në ditët e ardhshme priten zhvillime të reja, ndër të tjera nga zbatimi i kërkesave që prokuroria e Katanias ka dërguar për autoritetet në Shqipëri.
Nga zbulimet e operacionit Rosa dei Venti, në Itali ka nisur një hetim tjetër, nga një ekip tjetër prokurorësh tjetër, i cili solli në arrestimin e 31 personave, të gjithë italianë, ndër të cilët edhe të kreut të familjes mafiose të Sanatapaolës, Italo Tomaselli.
Sipas burime të Prokurorisë Antimafia të Katanias, ngarkesat me drogë nga Shqipëria, të sjella nga trafikantët shqiptarë furnizonin disa familje të ndryshme mafioze në Siçili, të gjitha në konkurrencë me njëra-tjetrën për kontrollin e trafikimit. Kjo gjë çoi në lindjen e konflikteve të ashpra mes familjeve kryesore mafioze të Katanias. Rreziku që situata të degjeneronte në një luftë të vërtetë mafioze me shumë viktima e shtyu Prokurorinë e Katanias të përshpejtonte arrestimet, të kryera me shumë stil dhe me qëllim parandalues.