KE: Hidrocentralet me rrezik, qeveria të ndryshojë strategji

KE: Hidrocentralet me rrezik, qeveria të ndryshojë strategji

Komisioni Evropian ka kritikuar sërish qeverinë për politikat e saj në lidhje me hidrocentralet, lejet e të cilave po jepen pa marrë parasysh rreziqet që ato i sjellin mjedisit, jetës së banorëve dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë si për shembull turizmi.

një analizë të programit të reformave ekonomike për Shqipërinë, KE thekson se ekonomikisht Shqipëria është e pambrojtur ndaj ndryshimeve klimaterike.

Sipas KE-së, varësia me 98% në prodhimin e energjisë prej hidrocentraleve e bën vendin të paqëndrueshëm ekonomikisht, sidomos në sezonet ku nuk ka reshje dhe Shqipëria detyrohet të importojë energji elektrike.

Në analizën e saj KE thotë se Shqipëria duhet ta diversifikojë sektorin e energjisë elektrike duke investuar në energjinë e rinovueshme.

Komisioni vëren se “duke pasur parasysh pasuritë e saj natyrore, Shqipëria ka potencial të zhvillojë energji të rinovueshme përmes erës dhe diellit”.

Aktualisht qeveria ka miratuar vetëm një projekt me energji diellore me kapacitet 30MW duke mbetur dorëlëshuar për sa i përket hidrocentraleve.

Për hidrocentralet KE vëren me kritika se:

Shqipëria e ka fokusin te hidrocentralet pavarësisht rreziqeve domethënëse. Qeveria planifikon të rrisë prodhimin e energjisë nëpërmjet ndërtimit të hidrocentraleve të reja, të cilat po rrisin seriozisht shqetësimet rreth ndikimit në mjedis dhe efekteve negative të mëdha mbi komunitetet lokale apo për turizmin.

Sipas KE, Shqipëria duhet të diversifikojë investimet në sektorin e energjisë edhe për arsye të turizmit.

Ruajtja e burimeve ujore do të ushqente pozitivisht investimet në turizëm, kjo duke pasur parasysh edhe rritjen e numrit të turistëve që pritet të vijë në vitet e ardhshme.

Për kët KE udhëzon zgjerimin e qasjes strategjike në energjitikë dhe menaxhimin e ujrave.

Javën e shkuar organizatat mjedisore mbajtën një protestë kundër ndërtimit të hidrocentraleve, ndërsa qeveria nuk reagoi aspak edhe pse në 6 muajt e parë të vitit tha se po punonte për të rishikuar më shumë se 100 kontratat koncesionare të dhëna.

Në raportin e progresit të këtij viti KE e kritikoi qeverinë për të gjitha aspektet e mjedisit: për mbrojtjen e natyrës, cilësinë e ajrit, menaxhimin e mbetjeve, cilësinë e ujërave dhe sidomos për mungesën e reagimeve ndaj ndryshimeve klimaterike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>