Komisioni Europian i dhuron Shqipërisë 115 milionë euro për rindërtimin pas tërmetit

Komisioni Europian i dhuron Shqipërisë 115 milionë euro për rindërtimin pas tërmetit

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Komisionit Europian Ursula von der Leyen nënshkruan sot marrëveshjen për dhurimin e 115 milionë eurove në ndihmë të procesit të rindërtimit pas tërmetit.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon nisjen e Konferencës së Donatorëve për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e faturës së dëmeve të tërmetit. Në të marrin pjesë rreth 450 persona, përfaqësues nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, shtete anëtare të Bashkimit Europian dhe shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ndihma prej 15 milionë eurosh u premtua nga Komisioni Europian që në dhjetor 2019, ndërsa 100 milionë euro të tjera u njoftuan sot.

Gjatë fjalës së saj Presidentja Von Der Leyen u shpreh:

“Komisioni Europian jep 100 milionë euro nga buxheti, përtej 15 milionë eurove të lajmëruara në dhjetor.”

Deri më tani Ministri i Jashtëm holandez Stef Blok ka konfirmuar se Holanda do të dhurojë 3 milionë euro për Shqipërinë, ndërsa Britania e Madhe pritet të dhurojë një million paund.

Më herët, ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj ka deklaruar se qeveria shqiptare pret që në “kombinim me grante dhe kredi të arrihet të mblidhet një ndihmë rreth 450 milionë euro” gjatë konferencës.

Në janar 2020, qeveria publikoi raportin final të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti dhe sipas tij, fatura e dëmeve është rreth një miliardë dollarë.

Raporti me emrin “Vlerësim i nevojave post-fatkeqësi” është përpiluar nga një grup ekspertësh të drejtuar nga ish-ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi.

Ky raport do të shërbejë si referencë në Konferencën e Donatorëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>