Ditët e ardhshme janë vendimtare për Britaninë dhe Bashkimin Europian, deklaroi të mërkurën presidentja e Komisionit Europian Ursula von Der Leyen.
Ajo u shpreh e pasigurtë në lidhje me marrëveshjen tregtare, por shtoi se në ditët e fundit ka pasur përparim në bisedime.
“Ashtu siç qëndrojnë gjërat tani, nuk mund të them nëse do të ketë marrëveshje ose jo. Por, mund të them se tani ka një rrugë drejt marrëveshjes. Rruga është shumë e ngushtë, por ekziston”, tha von der Leyen.
Ajo pohoi se Britania dhe BE kanë gjetur mirëkuptimin për shumë çështje, por dy janë ende pengesë.
“Kemi gjetur një rrugë përpara në shumicën e çështjeve, por dy prej tyre mbeten ende pengesë: fusha e barabartë e veprimit dhe peshkimi. Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare”, tha ajo në Parlamentin Evropian.
Më 31 dhjetor Birtanisë i përfundon periudha e tranzicionit. Ajo ka kohë edhe pak ditë që të arrijë një marrëveshje për të mbrojtur tregtinë e lirë, me vlerë prej 1 trilion dollarësh. Më 13 Dhjetor ato ranë dakord që të vazhdojnë bisedimet.
Nëse nuk ka dakrodësi mes dy palëve, do të bëjnë biznes sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë.
Kjo do të thotë se do të aplikojnë tarifa në importet e njëra-tjetrës.
Më 7 dhjetor Johnson ofroi heqjen e kushteve në projektligjoin e brexit.
Britania ka dalë nga BE-ja më 31 janar, por ka vazhduar tregtinë me bllokun nën të njëjtat kushte.
Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52% votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.