Javën e shkuar, Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, në një intervistë me gazetarin Sokol Balla, foli rreth zgjerimit të BE-së dhe hapjes së mundshme të negociatave me Shqipërinë.
Pavarësisht se Këshilli i Ministrave i BE-së kishte vendosur, dy ditë më herët, pesë prioritete kyçe që duhen përmbushur përpara se të hapen negociatat me Shqipërinë, Ambasadorja Vllahutin i shpërfilli këto prioritete duke ulur rëndësinë e tyre.
Madje, ajo i shpërfilli krejtësisht përfundimet e Këshillit Evropian—institucionit vendim-marrës për hapjen e negociatave—dhe vazhdoi t’i referohej raportit të Komisionit Evropian—burokracisë teknike të Brukselit:
Komisioni ka publikuar rekomandimin e tij pozitiv, por ka një rekomandim, një kusht, i cili është ligji i vetingut dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me pesë prioritetet kyçe. […] Me qëllim që të hapen negociatat, është e rëndësishme që të kalohet ligji i vetingut.
Në përgjigje të pyetjeve të mëtejshme të Sokol Ballës në lidhje me përfundimet e Këshillit Europian, Vlahutin vazhdoi të mohojë kushtet e BE-së:
Pesë prioritet do të vazhdojnë të mbeten me ne deri në fund [të negociatave]. […] Prandaj duhet të bëhet përparim, pak por qartësisht. Në lidhje me zgjedhjet, kjo gjë ka të bëjë me demokracinë. Nuk është kusht në vetvete, por ne e marrim të mirëqenë. Sepse zgjedhjet e lira dhe të ndershme kanë të bëjnë me vlerat demokratike të një vendi.
Të nesërmen e intervistës së Vlahutin, Kryeministri Rama—i cili mohon kategorikisht çdo lloj kushti nga Brukseli veç atij të vetingut—i postoi pohimet e Vlahutinit në faqen e tij në Facebook, duke i paraqitur ato si provë të pakundërshtueshme që ka vetëm një kusht për Shqipërinë: miratimi i ligjit të vetingut.
Veprimi i Kryeministrit erdhi disa ditë pasi ai kishte censuruar në faqen e tij në Facebook, deklaratën e Kancelares Merkel para takimit me të, duke hequr nga fjala e saj pjesën kur ajo fliste për luftën kundër korrupsionit, krimit e drogës dhe për domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si kusht për negociatat.
Por nëse qëndrimi i Kryeministrit Rama është i vetëkuptueshëm, komentet e Ambasadores Vlahutin bien haptasi ndesh me përfundimet e Këshillit të Ministrave të BE-së, në të cilat zbatimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR në kodin zgjedhor përmenden qartë si një nga pesë kushtet kyçe.
Për më tepër, përfundimet e Këshillit Evropian janë të qarta që nuk i referohen një “përparimi të vogël, por të qartë”, sikurse pohon Vlahutin, por “përparimi duhet të jetë “i qëndrueshëm, i gjithanshëm dhe gjithëpërfshirës”.
Qëndrimi i Zyrës së Shtypit të Presidencës së BE-së
Në përgjigje të pyetjeve nga Exit në lidhje me kushtet e hapjes së negociatave për anëtarësim, zyrtari i Zyrës së Shtypit për Zgjerimin i BE-së Evi Liaskou u shpreh se ai nuk dëshironte të komentonte deklaratat e Ambasadores Vlahutin, por theksoi se “siç janë shprehur në përfundimet e Presidencës, mendoj se ato [kushtet] janë shumë të qarta”.
Për të sqaruar kushtet, ai i ka bashkangjitur përgjigjes dokumentin e përfundimeve të Këshillit të BE-së ku ka nënvizuar me të verdhë pjesët ku referohen kushtet që ka vendosur BE:
Pavarësisht, përparimit që Shqipëria ka bërë deri më tani, të pesë prioritetet kyçe—të cilat Ambasadorja Vllahutin dhe Kryeminsitri Rama i kanë mohuar me këmbëngulje që të jenë “kushte”—duhet të zbatohen plotësisht përpara se të hapen negociatat e anëtarësimit.
Pra, hapja e negociatave është kushtëzuar me zbatimin e të pesë prioriteteve, çka logjikisht, i bën ato kushte.
Kjo gjë ngre një pyetje problematike: kë përfaqëson Ambasadorja Vlahutin? BE-në apo qeverinë shqiptare?
Si mund të jetë në interes të BE-së që Ambasadorja e saj në Tiranë të keqinterpretojë përfundimet e Këshillit të Ministrave të BE-së për ta keqinformuar popullin shqiptar që ta bëjë të besojë se negociatat e anëtarësimit janë shumë afër dhe do fillojnë mjaft të votohet ligji i vetingut?
Ka patur shumë ngatërresa në median shqiptare në lidhje me ndryshimin e saktë mes fjalëve “prioritete” dhe “kushte”, edhe për shkak të faktit se Delegacioni i BE-së në Tiranë ka kontribuar vetë për krijimin e kësaj ngatërrese.
Ndërkohë që është pikërisht kjo ngatërresë e qëllimshme që i lejon qeverisë shqiptare të fajësojë këdo tjetër veç vetes për shtyrjen për një afat të papërcaktuar të hapjes së negociatave me BE-në.
Duhet të jetë detyra e Ambasadores së BE-së t’i vërë në dukje qartësisht qeverisë shqiptare se, krahas miratimit të ligjit të vetingut, qeveria duhet të ndërmarrë hapa të qarta dhe të bëjë përparim “të qëndrueshëm, të gjithanshëm dhe gjithëpërfshirës” në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe çlirimin e politikës nga kriminelët—të gjitha çështje për të cilat, në mënyrë të pashpjegueshme, Vlahutin ka qenë memece deri më tani.