KE prezanton metodologji të re të zgjerimit javët e ardhshme

Nga Exit News
KE prezanton metodologji të re të zgjerimit javët e ardhshme

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen deklaroi sot se për çështje javësh Komisioni do të paraqesë një metodologji të re të zgjerimit. Ajo u shpreh se 6 muajt e ardhshëm do të jenë vendimtare për marrëdhëniet BE-Ballkan Perëndimor.

Gjatë prezantimit të presidencës kroate në Parlamentin Evropian, Presidentja e KE-së, Von der Leyen u shpreh se përpara takimit të radhës, të caktuar në maj, “BE-ja duhet të bëjë detyrat e shtëpisë”.

“Nëse duam suksesin e samitit të radhës BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb duhet patjetër të bëjmë detyrat e shtëpisë. Prandaj për çështje javësh, për të diskutuar nevojën e modernizimit [të procesit integrues] do të prezantoj metodologjinë e re të zgjerimit, dhe veçanërisht për miqtë tanë të Ballkanit Perëndimor, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për prespektivën e nisjes së negociatave.”

Më 1 janar 2020 Kroacia mori presidencën e BE-së me një nga prioritetet zgjerimin. Kjo deklaratë vjen pak përpara vizitës që eurokomisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi do të zhvillojë në Shkup dhe Tiranë në datat 15 dhe 16 janar.

Në tetor nuk pati dakordësi mes vendeve anëtare të BE-së për të nisur bisedimet për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vendimi u shty për këtë vit në samitin e Zagrebit në maj.

Nga vendet që nuk ranë dakord, Franca kërkoi ndryshimin e procedurave, ndërsa Holanda rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Përveç tyre në nëntor Bundestagu gjerman paraqiti 7 prioritete që Shqipëria duhet të kishte parasysh për të merituar hapjen e negociatave.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>