KE: Shqipëria, borxh të lartë publik dhe mungesë të investimeve të reja – Pikat kryesore të raportit

KE: Shqipëria, borxh të lartë publik dhe mungesë të investimeve të reja – Pikat kryesore të raportit

Borxhi i lartë publik, kreditë e këqija dhe mungesa e investimeve të huaja të reja janë problemet kryesore të ekonomisë shqiptare. Ky është përfundimi i raportit vjetor të Komisionit Evropian mbi programin  e reformave ekonomike të Shqipërisë.

Pavarësisht se  parashikimet për rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) janë pozitive – nga 3,8 për qind në vitin 2017 deri në 4,2 për qind në vitin 2019, – KE sheh ende disa pengesa:

Borxhi publik është më i lartë se 70 për qind i PBB-së. Shqipëria dhe Serbia janë vendet me borxhin publik më të lartë në rajon. Përveç ndërhyrjeve me paketat fiskale, ulja e borxhit publik kërkon përpjekje dhe reforma më serioze dhe ambicioze.

Investimet e Huaja Direkte aktualisht varen në disa projekte të nisura nga qeveria e mëparshme dhe që pritet të mbarojnë së shpejti. Tërheqja e IHD-ve të reja kërkon reforma të thella strukturore dhe përmirësim të ndjeshëm të klimës së të bërit biznes. Tërheqja e IHD-ve do të sillte impulse të reja në ekonomi me krijimin e vendeve të reja e të mirëpaguara të punës.

Kreditë e këqija vazhdojnë të rëndojnë bilancet e bankave dhe të pengojnë rikuperimin e kredisë. Në vitin 2016, kreditë e këqija arritën nivelin e 18,3 për qind, 0,6 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.

Problemet me pronësinë, kryesisht të tokës, janë një nga kufizimet kryesore të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, duke ndikuar negativisht në një numër sektorësh si infrastruktura, bujqësia, industria apo dhe tregu i pronave të paluatëshme.

Joefikasiteti në sektorin energjetik, përfshirë këtu dhe furnizimin e pamjaftueshëm me energji, pengojnë konkurrueshmërinë e Shqipërisë në rajon.

Reforma kyçe duhen ndërmarrë dhe në sektorë si transporti, energjia, telekomunikacioni, arsimi dhe mjedisi i të bërit biznes, si fusha kryesore për të siguruar një rritje ekonomike të qëndrueshme.

Në përgjithësi, sektori industrial është i dobët dhe eksportet janë të përqëndruara në disa grupe produktesh me nivel të ulët përpunimi.

Papunësia e lartë strukturore mbetet një nga sfidat më të mëdha të tregut të punës në Shqipëri. Grupet më të prekura nga papunësia janë gratë dhe të rinjtë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>