Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, në një shkrim për situatën në Ballkan, e quan Shqipërinë si një shtet ku politika e krimi ndërthuren në një rrjet korrupsioni, ndërsa Edi Ramën si një lider që “shkakton dinamika negative në rajon.”
Në një koment të Vessela Tcherneva, drejtoreshës së KEMJ, Shqipëria përshkruhet kështu:
“Shqipëria ka ndarje të thella politike në të cilat politika dhe klanet e krimit ndërthuren në një rrjetë hakmarrjeje dhe korrupsioni. Trafikimi i drogës dhe pastrimi i parave lulëzojnë në këtë mjedis.”
Artikulli vazhdon më tej duke akuzuar Kryeministrin Rama se jo vetëm që nuk po merret masat e nevojshme për të rregulluar situatën, por përkundrazi, nxjerr tema të reja në publik për të hequr vëmendjen nga problemet reale:
“Në vend që t’i përgjigjet këtyre dështimeve të qeverisjes, Edi Rama, kryeministri shqiptar, kohët e fundit, e ka përkeqësuar situatën duke e kthyer vëmendjen tek Shqipëria e Madhe, duke ushqyer frikën e separatizmit në Maqedoninë fqinje.”
Pra përveç situatës së përkeqësuar në Shqipëri, duket se kryeministri Rama kontribuon dhe në “dinamika negative në rajon”.
Duke analizuar situatën e të gjithë Ballkanit Perëndimor, Tcherneva thekson se “duke patur parasysh problemet akute në rajon, BE duhet të marrë hapa konkretë që mund të sjellin ndryshim për publikun lokal dhe të ndryshojnë dinamikat negative në rajon.”
Disa prej mjeteve për të arritur këtë janë “rritja e investimeve të BE-së në ekonomitë e Ballkanit, përmirësimi i ndihmës teknike të qeverive të Ballkanit dhe, më e rëndësishmja, ngritja e liderëve të Ballkanit në standarde më të larta politike.”
Drejtoresha e KEMJ i bën thirrje Bashkimit Evropian që të shohë përtej “stabilitokracisë” së këtyre shteteve:
“Stabilitokracia” – ofrimi i një situate të qëndrueshme në dukje nga qeveritë, kundrejt mbylljes së njërit sy nga BE-ja për çështjet e demokracisë, – po përforcon problemet themelore të Ballkanit Perëndimor. Ajo nxit korrupsionin, largon rininë nga vendi dhe e shtyp vendin edhe më larg BE-së.
Sfida e vërtetë është politike. BE nuk duhet të lejojë liderët si Gruevski të qëndrojnë në pushtet për kaq gjatë, në çdo vend kandidat. Me kalimin e kohës, ata dëmtojnë kontrollet dhe balancat dhe bien ndesh me parimet themelore të qeverisjes demokratike.”