Komisioni Evropian vendosi sot masa shtesë për të ndalur përhapjen e koronavirusit në BE.
Në mbledhjen online, udhëheqësit e vendeve të BE-së vendosën të rrisin kapacitetet e gjurmimit, të nisin fushatat e informimit për vaksinën, të përgatisin strategjinë e vaksinimit të popullsisë, dhe të kryejnë testime të shpejta.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha: “Gjendja e COVID-19 është ë rëndë. Ne duhet të marrim masa për ta përballuar”.
Stella Kyriakides, eurokomisionerja për shëndetësinë tha se “ Rritja e infektimeve në Evropë është alarmante. Duhet të veprojmë mënjëherë për të shpëtuar jetë, për të ulur presionin ndaj sistemit shëndetësor dhe për të kontrolluar përhapjen e virusit”.
Komisioni Evropian njoftoi se ka vënë në dispozicion të vendeve të BE-së, 100 milionë euro për të blerë teste të shpejta.
Në njoftimin për shtyp këshillohet testimi i grupeve të riskut, grupeve primare. Gjithashtu, KE kërkoi që shtetet të njohin testet e kryera Brenda vendeve të BE-së.
KE i kërkoi udhëheqësve të vendeve evropiane të nisin fushata informuese kundër keqinformimit në lidhje me pandeminë.