Vendimi i Komisionit të Posaçëm të Apelimit (KPA) për të rrëzuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe për të shkarkuar anëtarin e sapoemëruar kushtetues Besnik Muçi tregon pikërisht arsyen pse vendimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për të injoruar verifikimin e përfundimtar të kandidatëve të Gjykatës Kushtetuese ishte një gabim i madh.
Me Vendimin Nr. 4 të 11 marsit 2019, KED vendosi të mos presë sa kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të kenë marrë vendimin përfundimtar:
(Neni 111) Kandidatët magjistratë dhe subjektet e tjerë që i nënshtrohen procedurës së rivlerësimit kalimtar sipas ligjit nr. 84/2016, të cilët nuk janë konfirmuar në detyrë me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, edhe kur ndaj atij vendimi është paraqitur ankim, nuk lejohen të kandidojnë….
(Neni 112) “Procedurat e verifikimit të kandidaturave për pozicionet vakante nuk mund të përfundojnë përpara se Komisioni i Pavarur i Kualifikimi të ketë dhënë vendim lidhur me kandidatët magjistratë …”
Duke e përcaktuar vetingun në këtë kuptim të ngushtë, KED mori përsipër të interpretojë, në dhunim të ligjit të Vetingut, vendimin e KPK-së si vendim de facto final, duke krijuar kështu hapësirë për kandidimin e Besnik Muçit.
Kryetari i KED-it, Ardian Dvorani, i cili javën e fundit u akuzua nga Presidenti Meta se vepron si “ushtar i verbër” i Partisë Socialiste, konfirmoi në korrik se kandiatët për Gjykatën Kushtetuese nuk ka nevojë të jenë vetuar:
Këshilli ka afate ligjore për të përfunduar procesin dhe ndryshe nga SPAK, dispozitat për dy postet [gjyqtar kushtetues dhe inspektor i lartë i drejtësisë] nuk parashikojnë vendim të formës së prerë nga vetingu.
Dvorani u shpreh atëherë se nëse gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese do të rrëzoheshin nga KPA kjo gjë “s’do t’i bënte nder procesit” të mbushjes së Gjykatës Kushtetuese. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi dje.
Partia Socialiste po përpiqet të fajësojë Presdientin Ilir Meta për zgjedhjen e Besnik Muçit, duke pretenduar se ai zgjodhi të vetmin kandidat të pavetuar nga lista e kandidatëve. Për shembull, Zëvendës Kryeministri Erion Braçe pohoi në mediat sociale:
“SA KEQ! SA KEQ! Por ky eshte #RULEOFLAW! Besnik Muci u emërua gjyqtar në #GjykatenKushtetuese nga #PresidentiiRepublikes, pa kaluar #Vettingun!!!! Deklarata se për anëtarin e #GjykatesKushtetuese nuk ka nevojë për #Vetting, është e kotë, përmban një gënjeshtër të madhe! Sot, institucioni më i lartë i Vettingut rrëzoi Besnik Mucin!”
Por detyra e vetme kushtetuese Presidentit është të zgjedhë njërin nga kandidatët në listët që i është dërguar nga KED-i dhe jo të kontrollojë nëse kandidatët kanë kaluar vetingun. Kjo ishte detyra e KED-it. I gjithë qëllimi i përzgjedhjes prapraprake të kandidaturave nga KED është pikërisht të shmangë ndikimin politik në procedurat e emërimit, ndaj është ekzagjerim të akuzosh Presidentin pse ka ushtruar të drejtën e tij kushtetuese.
Ishte KED-i që lejoi kandidatët e pavetuar t’i nështroheshin procesit të verefikimit, kualifikimit dhe renditjes për të të mbushur vakancat në Gjykatën Kushtetuese.
Ky fakt tregon edhe një herë se duke vepruar nën trysninë e madhe politike (ndër)kombëtare, vendimet e KED-it kanë shkaktuar rrënimin e vendosjes së besueshmërisë së Gjykatës Kushtetuese: një hap përpara dhe dy hapa pas.