KED i dërgoi parlamentit vetëm një kandidat për në Gjykatën Kushtetuese, në shkelje të ligjit

Nga Exit News
KED i dërgoi parlamentit vetëm një kandidat për në Gjykatën Kushtetuese, në shkelje të ligjit

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgoi Kuvendit ditën e hënë listën vetëm me një kandidat për një vend vakant në Gjykatë Kushtetuese.

Në një njoftim zyrtar, KED shkruan:

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve miratoi vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatit të lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 28.08.2018 dhe rishpallur në datat 21.08.2019 dhe 24.09.2020, si edhe listën përfundimtare të renditjes së bashku me raportin përkatës. KED po sot, i përcolli këto akte pranë organit të emërtesës, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”

Vendimi i KED është shkelje e Kushtetutës dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

Fillimisht, neni 125 i Kushtetutës parashikon se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese përzgjidhen nga kandidatët të renditur në tri vendet e para, nga lista e KED.

“Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit.”

Kjo gjë përforcohet në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ku në nenin 7/c parashikon procedurën si zgjidhen anëtarët e GJK nga Kuvendi.

Pika 5 e këtij neni parashikon se Komisioni i Ligjeve organizon seanca dëgjimore me kandidatët dhe më pas harton një listë me tre emra të cilat i dërgon në seancë plenare për tu votuar me 3/5.

“Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, sipas renditjes, brenda një afati të arsyeshëm, organizon seancat dëgjimore me kandidatët. Institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pas këtyre seancave, Komisioni i dërgon Kuvendit emrat e tre kandidatëve për çdo vend vakant bashkë me raportin e arsyetuar për secilin kandidat të përzgjedhur.”

Kështu KED duhet të hartonte një listë me tre emra që gara të quhet e vlefshme, në të kundërt duhet të njoftonte Kuvendin për të rihapur garën.

Kështu ka vepruar ai në raste të ngjashme. Konkretisht, për vendin e ish anëtarit Besnik Imeraj të shpallur nga Presidenti, KED kualifikoi vetëm një kandidat.

Ai i kërkoi Presidentit të rihapë garën në mënyrë që të realizohej lista me të paktën tre kandidatë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>