
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të shqyrtojë të hënën kandidaturën e Sonila Bejtjas për vendin e 7 në Gjykatën Kushtetuese.
Bejtja është e vetmja kandidate në garë për këtë post.
Në një njoftim zyrtar, KED shkruan se do të kryejë sot intervistën me të si dhe do të miratojë listën përfundimtare për vendin e 7 në GJK.
“Zhvillimi i intervistës me kandidatët e lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese të shpallur vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019, si më poshtë:
Sonila Bejtja.
Vlerësimi, pikëzimi dhe renditja për kandidatët e lejuar.”
Emri i Bejtjas do të dërgohet pranë Presidentit, i cili duhet ta dekretojë atë.
Gjykata Kushtetuese tashmë ka 6 anëtarë dhe mund të marrë vendime.