KED mund të mos formohet dot as për vitin 2019

Nga Alba Mborja
KED mund të mos formohet dot as për vitin 2019

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) mund të mos formohet dot as për vitin 2019, pasi nuk ka mjaftueshëm prokurorë dhe gjyqtarë që plotësojnë kushtet për të qenë anëtarë të tij. Pa formimin e saj, nuk mund të formohet asnjë institucion tjetër i administrimit të sistemit të drejtësisë, pasi KED është institucioni që bën vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për anëtarë të këtyre institucioneve.

Anëtarët e KED-it zgjidhen me short, në të cilin përfshihen të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët, që plotësojnë kushtet e përcaktuara për anëtar, sipas kuotave për nivele të ndryshme të sistemit të prokurorisë dhe gjyqësorit.

Presidenti Meta ka bërë, sot, publike listat me gjyqtarët dhe prokurorët që plotësojnë kushtet për t’u përfshirë në shortin për anëtarë të KED, të hartuara nga Gjykata Kushtetuese (GJK), për gjyqtarë të KED-it nga radhët e GJK-së, Gjykata e Lartë (GJL) për gjyqtarë të KED-it nga radhët e GJL-së dhe Prokuroria e Përgjithshme nga radhët e gjithë sistemit të prokurorisë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë‚ i cili duhet të hartojë listat e gjyqtarëve të apelit dhe gjykatave administrative—nuk ka dorëzuar ende asnjë listë, duke shkelur kështu afatin kushtetues që është 15 nëntori i çdo viti.

Në listën e Gjykatës Kushtetuese janë të dy anëtarët që kanë mbetur në detyrë, pas konfirmimit nga vetingu, Vitore Tusha dhe Bashkim Dedja. Dedja është përfshirë në listë edhe pse Komisioneri Publik dhe ONM-ja kanë kërkuar shkarkimin e tij dhe çështja pret të shqyrtohet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Nga Gjykata e Lartë janë dërguar tre emra, Edmond Islamaj, Ardian Dvorani dhe Medi Bici. Të tre gjyqtarët kanë kaluar vetingun, por Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin për gjyqtarin Edmond Islamaj, i cili do të shqyrtohet në apel. Nuk dihet pse në listë nuk është përfshirë Xhezair Zaganjori, anëtari tjetër nga katër anëtarë që i kanë mbetur Gjykatës së Lartë.

Prokuroria a Përgjithshme ka dërguar vetëm dy kandidatura nga sistemi i prokurorisë, Arta Marku, e ngarkuar me detyrën e Prokurores së Përgjithshme, dhe Fatjona Memçaj, prokurore në Prokurorinë e Apelit Tiranë. Prokuroria e Përgjithshme ka sqaruar se 36 prokurorë të tjerë nuk plotësonin kriterin e mbarimit të Shkollës së Magjistraturës, ndërkohë që nuk ka sqaruar pse nuk janë shqyrtuar për t’u përfshirë në short qindra prokurorë të tjera—sistemi i prokurorisë ka rreth 380 prokurorë në detyrë. Duhet theksuar se Arta Marku ka aplikuar, gjithashtu, për anëtare të KLP-së, çfarë mund të përbëjë konflikt interesi, pasi KED bën vlerësimin e kandiatëve për në KLP.

Por, dërgimi i vetëm dy emrave nga sistemi i prokurorisë për anëtarë e bën të pamundur krijimin e KED-it pasi ai duhet të ketë dy anëtarë të prokurorive të apelit, ndërkohë që ka vetëm një kandidat të tillë, Fatjona Meçaj. Pa diskutuar faktin që prania e Arta Markut në KED ngre dyshime serioze për papajtueshmëri me statusin e saj.

Në këto kushte, KED duket se nuk do të mund të krijohet edhe për vitin 2019, pasi nuk u krijua dot as për vitin 2017 dhe 2018.

Më poshtë Exit.al jep një shpjegim të detajuar të gjendjes dhe problematikës së krijuar.

Çfarë parashikon kushtetuta dhe ligji për formimin e KED-së?

Sipas Kushtetutës, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët duhet të plotësojnë një sërë kushtet, dhe që shërbejnë vetëm për një vit pa të drejtë rizgjedhje të njëpasnjëshme. Për vitin pasardhës, lista e kandidatëve që plotësojnë kushtet nga cdo nivel i sistemit të drejtësisë, i dërgohen Presidentit brenda datës 15 nëntor të çdo viti kalendarik dhe shorti zhvillohet nga Presidenti midis datave 1 dhe 5 dhjetor.

Në përbërje të KED duhet të jenë:

 – 2 anëtarë nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese;

 – 1 anëtar nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë;

 – 1 anëtar nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme;

 – 2 anëtarë nga gjyqtarët të apelit;

  – 2 anëtarë nga prokurorët e apelit;

 – 1 anëtar nga gjyqtarët e gjykatave administrative.

Kështu, nga Gjykata Kushtetuese duhen dy anëtarë, aq sa ka dhe kandidatë, Vitore Tusha dhe Bashkim Dedja. Vitore Tushës, ndërkohë i ka mbaruar mandati si anëtare e GJK që në prill 2017, por Gjykata e Lartë nuk ka zgjedhur ende pasuesen e saj. Tusha është propozuar ndërkohë nga Presidenti për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Ndërkohë Bashkim Dedja është konfirmuar nga komisioni i vetingut, por konfirmimin e tij e ka kundërshtuar ONM-ja dhe e ka apeluar Komisioneri Publik dhe pritet të shqyrtohet nga Kolegji i Apelimit, në javët e ardhshme.

Nëse Tusha emërohet në krye të KLSH-së ose Dedja shkarkohet nga KPA-ja, praktikisht nuk ka më gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese që mund të jenë anëtarë të KED-së për vitin 2019.

Nga Gjykata e Lartë do të zgjidhet një anëtar nga tre kandidatë: Ardian Dvorani, për vendimin e të cilit mund të lexoni këtu, Edmond Islamaj i cili pret vendimin nga KPA dhe Medi Bici, i cili është konfirmuar në detyrë me vendim të formës së prerë. Duhet theksuar se Bici gjithashtu ka kandiduar për anëtar të KLGJ-së, çfarë përbën konflikt interesi me qenien anëtar i KED.

Nga Prokuroria e Përgjithshme do të zgjidhet një anëtar nga një kandidate: Arta Marku, Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme dhe kandidate për KLP-në.

Nga prokuroritë pranë gjykatave të apelit duhen dy anëtarë, por ka vetëm një kandidate: Fatjona Memçaj, prokurore e Apelit Tiranë, e cila ka kaluar vetingun dhe ka qenë anëtarë e KED-së  së vitit 2017. Vendi tjetër që i është caktuar prokurorëve pranë gjykatave të apelit do të mbetet bosh, duke bërë të pamundur krijimin e KED-it.

Nga gjykatat e Apelit duhen dy anëtarë, por nuk ka ende asnjë kandidaturë, edhe pse ka kaluar afati kushtetues i paraqitjes së tyre. Nuk dihet se pse KLD, e cila drejtohet nga Presidenti Meta, nuk ka hartuar dhe paraqitur listat përkatëse, por në kushtet e tanishme dy vende në KED rrezikojnë të mbeten bosh.

Nga gjykatat administrative duhet një anëtar, por nuk ka ende asnjë kandidaturë përtej afatit kushtetues. Kështu edhe ky vend në KED rrezikon të mbetet bosh.

Pra në total, bazuar në kandidaturat që plotësojnë kriteret nga listat e Prokurorisë, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, KED nuk mund të formohet, pasi nuk mund të plotësohen të paktën 4 vende të saj.

Vlen të theksohet se fakti që disa kandidatë për vendet e tjera në KED rrezikojnë të shkarkohen nga KPA-ja, ose janë kandidatë dhe për pozicione të tjera në insitucionet e reja të drejtësisë, mund t’i vështirësojë edhe më tej mundësitë e krijimit të KED për vitin 2019.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>