Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka renditur kandidatët për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke renditur në vend të Avokatin e Shtetit Artur Metani.
Renditja paraprake është:
- Artur Metani 89.6 pikë;
- Sokol Stojani 89 pikë;
- Joana Asimi Sorraj 82.5 pikë;
- Eris Hysi 78.3 pikë;
- Lindita Troja 63.4 pikë;
Që në gusht 2019, kur KED kualifikoi Metanin si një nga kandidatët kryesorë për postin e ILD-së, opozita e kundështoi këtë kualifikim duke sqaruar se është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e paketës së reformës në drejtësi.
Artur Metani është aktualisht Avokati i Shtetit, emëruar direkt nga Kryeministri Rama.
Po ashtu, në periudhën Maj 2002-Korrik 2012, Zoti Metani ka mbajtur funksionin e Këshilltarit Juridik të Presidentit të Republikës.
Ligji i vetingut, në nenin 3, pika 17, e konsideron pozicionin e Këshilltarit të Presidentit si ‘funksion politik’ në administratën publike.
Për këto arsye, PD sqaroi se kandidatura e Metanit bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë”.
Në nenin 147/d, pika 3 të Kushtetutës përcaktohet qartë se “…Kandidati për Inspektor të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit”.
I njëjti kusht përcaktohet dhe në nenin 199/pika 1/dh të ligjit për organet e drejtësisë.
Zoti Metani po ashtu është vëllai i deputetes dhe ish-ministres socialiste Eglantina Gjermeni.
Sipas PD-së, emërimet e njerëzve të afërt me Ramën në poste kyçe të sistemit të ri të drejtësisë do të ulin ndjeshëm besimin e qytetarëve të pavarësinë e organeve të reja të drejtësisë.
ILD është institucioni përgjegjës për verifikimin e ankesave dhe fillimin e hetimit administrativ ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe anëtareve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë.
Sipas Kushtetutës, ILD duhet të ishte formuar në shkurt–mars 2017 (2 vjet e gjysmë më parë), 6 muaj pasi amendamentet kushtetuese të reformës në drejtësi hynë në fuqi.