Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Belind Këlliçi tha të dielën se në 3 vite “mafia e betonit” ka pastruar 1.6 miliardë euro.
Duke folur për përgjimet e mafias italine Ndragheta ai tha se sot në Tiranë janë dhënë 2.3 milionë metra katrorë leje ndërtimi.
Ai u shpreh se nuk është hera e parë që qeveria e drejtuar nga PS del në përgjimet e mafias italiane dhe përmendi rastin e ish ministrit Saimir Tahiri:
“Është rast i përsëritur. Ka qenë antimafia italiane që ka çuar para drejtësisë Saimir Tahirin kur opozita ka dhënë mbi 1 mijë deklarata, konferenca shtypi për kanalizimin e Shqipërisë, për lidhjet e ministrisë së brendshme me trafikun e drogës, për faktin që ishin kthyer shefat e komisariateve në roje të parcelave, Edi Rama tallej, anatemonte opozitën. Baltoste çdo opozitar që ngrinte zërin dhe ishte antimafia italiane që zbuloi se të gjitha faktet e dhëna nga PD ishin tronditëse, por ishin të vërteta“.
Më tej ai tha se është hera e dytë që kreu i bashkisë Tiranë Erion Veliaj del në përgjime të mafias italiane. Herën e parë tha ai emri i Veliajt u lakua për skandalin e Eco Tirana.
“Në vitin 2016, ka qenë kompania “EcoTirana”, e krijuar nga Erion Veliaj dhe Flavio Tossi, ish kryetar i bashkisë së Veronës, ku ishte 51% aksionere Bashkia e Tiranës dhe bashkia e Veronës 49% aksionere dhe kishte të bënte me përpunimin e mbetjeve. Kompania që ishte pjesë e aksioneve të palës italiane, “AGSM”, përmes kompanisë “AIMA”, kishte administrator Andrea Migliorazzin. Ky, së bashku me Arbjan Maznikun, të famshin e darkës në Dubai që nuk kishte asnjë lidhje në atë darkë, ishin administratorë të kësaj kompanie dhe më pas kur u bënë publike transkriptet e antimafias italiane u tërhoq Migliorazzi në 2018 nga “EcoTirana” dhe sot është i arrestuar në dijeni time dhe Flavio Tossi i shkarkuar. Sepse pastronin para për mafian italiane”.
Të dielën në një deklaratë për shtyp, Këlliçi u shpreh se Veliaj është një politikan i rrezikshëm për vendin dhe kërkoi nga SPAK që të nis hetimet për të dhe për kryeministrin Edi Rama