Fillon me një histori të bukur. Gjithnjë, fillon me një histori të bukur: Një vajzë dhe një djalë takohen në auditor; shkëmbejnë veshtrimin e parë …, ai e kupton, që e do; shkëmbejnë vështrimin e dytë, të tretë, të katërt …, kalojnë gjashtë muaj, një vit … dhe ja …, befas …, edhe ajo e ndjen se e do; dhe njohja kthehet në dashuri, pastaj kthehet në dhimbje, më vonë bëhet lidhje, dhe në fund … zhgënjim.
Herë tjetër, është një lule që shkëmben duar; një notë melankolike në koncert, që trishton dhe lidh dy zemra të panjohura më parë; një akullore në plazh, që shkrin nën djegjen e syve rinorë; një varg i harruar në krahët e një aeroplani prej letre …
“Rinia është magnet,” – thotë autori, Glori Husi, – “përmban dy pole, në njërën anë gëzimin, në tjetrën zhgënjimin! Në një çast përjeton dashurinë, tërheqjen e vetme që sfidon gravitetin, në tjetrin çast, vetminë, atë energji të zezë që shtyn, ndan e përçan yjet, dhe venit dritën për së largu! Çuditërsisht, zhgënjimi është ndjenja e parë që gjithkush provon, shumë më herët se sa vetë dashurinë. E provon, edhe pa e ndjerë fare dashurinë. E, megjithatë, si edhe çdo ndjenjë tjetër në atë moshë, zhgënjimi është i bukur, është i dhimbshëm, është satirik, është poetik.”
Pikërisht kështu është tregimi “Këmisha”: i bukur, i dhimbshëm, satirik, poetik! Një rrugëtim literal dhe imagjinar i një shpirti të ri, i një shpirti të etur për botë e për romancë.
Pas suksesit me novelën “Varrimi i një Armiku të Popullit”, Glori ri-kthehet me shumë elegancë me një vëllim me tre tregime që, po fillove t’i lexosh, “nuk të lëshojnë”. Romanca rinore, nostalgjia për vendlindjen, tiparet humoreske por edhe dramateske, në shumë raste, të mjedisit shoqëror shqiptar adresohen me mjeshtëri në dy tregimet e para: “Këmisha” dhe “Kur ajo mbyll sytë…”. Tregimi i tretë, “Sipërmarrësja” është unik në trajtimin e një fenomeni shumë të debatuar në terrenin politiko-shoqëror shqiptar, por pak të trajtuar në botën letrare. Mendojmë se mesazhi i autorit është sa suprizues e satirik, aq edhe protestues dhe ngjallës i revoltës, që subjekti meriton.
Si përherë, Glori shpalos një stil të veçantë rrëfimi dhe një harmoni të përkryer të imagjinatës me realen. Fëminor dhe enigmatik, nostalgjik dhe kritikues, pasionant dhe i përvuajtshëm, dhe mbi të gjitha një satirë të këndshme, që më mirë se çdo mënyrë tjetër përçon fuqishëm mesazhe të drejtpërdrejta dhe idenë e autorit. Përmbledhtas: një libër që lexohet “me një frymë”.
Libri gjendet në libraritë e Tiranës dhe, së shpejti, në libraritë e qyteteve të tjera të vendit, dhe në Kosovë. Duke i ururar suksese autorit, i rekomandojmë lexuesve me shumë dashamirësi ta bëjnë “Këmishën” të tyren!